Hulumtim në Beograd: Kur do të ndodhë marrëveshja dhe a do ta njohë Serbia pavarësinë e Kosovës?

11:03 | 10 Maj 2019
V. S.

“Faktor Plus”, në bashkëpunim me “Blic” kanë realizuar një hulumtim me qytetarët serbë në Beograd me pyetje të ndryshme lidhur me çështjen e Kosovës.

Qytetarët serbë nuk janë optimistë kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, është bërë e ditur në një hulumtim nga agjencioni “Faktor Plus”, në bashkëpunim me “Blic”.

Ata po ashtu nuk presin që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ta nënshkruajë njohjen e Kosovës derisa shumica besojnë se problemi nuk do të zgjidhet së shpejti, transmeton lajmi.net.

Në pyetjen “a mendoni se presidenti i Serbisë ose Kryeministrja do ta nënshkruajnë njohjen e Kosovës”, plot 78 për qind janë përgjigjur negativisht, kurse vetëm 15 për qind besojnë se po, derisa shtatë për qind nuk kanë dhënë qëndrim.

“Blic” ka njoftuar se hulumtimi është realizuar më herët para se presidenti serb Vuçiq të insistonte se nuk do ta nënshkruajë njohjen e Kosovës.

Vladimir Pejiq nga agjencia “Faktor Plus” ka theksuar se në periudhën e fundit është folur shumë për këtë temë dhe se qytetarët jo vetëm se janë kundër saj, por edhe nuk besojnë se do të vjen deri te njohja.

Në pyetjen se cila do të ishte zgjidhja më e mirë për Serbinë dhe serbët në Kosovë, 50 për qind kanë thënë “konflikti i ngrirë”, 32 për qind mendon se bëhet fjalë për marrëveshje për korrigjim të kufijve nga të dyja palët, kurse vetëm 8 për qind e shohin si zgjidhje njohjen e Kosovës së pavarur, përcjell lajmi.net.

Kur bëhet fjalë për ndjenjat karshi Kosovës, përgjigjet dhe opsionet kanë qenë të ndryshme, deri 61 për qind kanë thënë se ndihen të pikëlluar. Në pyetjen se në çfarë periudhë prisni një zgjidhje, qytetarët nuk janë optimistë.

Gati gjysma e të anketuarve (47 për qind) besojnë se çështja e Kosovës nuk do të zgjidhet në 5 deri në 10 vitet e ardhshme, 22 për qind pret që të zgjidhet në vitin e ardhshëm ose pas dy vitesh, kurse 14 për qind deri në fund të këtij viti.

Zgjidhja e çështjes së Kosovës derisa mbështetet nga fuqitë e mëdha, Rusia, SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe Kina, është përkrahur nga 46 për qind të anketuarve, por vetëm nëse Kosova mbetet në kushtetutën e Serbisë. Nëse fuqitë e mëdha do të ishin garantues të marrëveshjes, një zgjidhje e tillë do të mbështetej nga 40 për qind e qytetarëve.

Të anketuarit janë përgjigjur edhe në pyetje lidhur me Bashkimin Evropian. Në pyetjen “a prisni që Serbia në pesë deri shtatë vitet e ardhshme do të anëtarësohet në BE”, 46 për qind janë përgjigjur se kjo është pak e mundur për shkak të problemeve brenda BE-së. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme