Pasi që është bërë falja e namazit të Bajramit, shumë qytetarë në tregun e kafshëve në kryeqytet kanë bërë therjen e kurbanëve, por kushtet ku u kryente therja nuk ishin adekuate.
Mungesa e thertoreve të licenuara në rrethinën e kryeqytetit kishte bërë që qytetarët të orientoheshin në thertoren që gjendet në tregun e kafshëve, ani pse ajo nuk i plotësonte as kushtet më elementare të higjienës.
Institucionet përkatëse ditë më parë kanë ftuar qytetarët që të kenë kujdes me rastin e kryerjes së ritit të therjeve të kurbanëve, por në tregun e kafshëve në Prishtinë nuk u ndal një veprim i tillë as nga inspektorët e komunës së Prishtinës, e as nga ata të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.
Qytetarët që kishin zgjedhur këtë thertore, duhej që të paguanin nga 5 euro për t’u lejuar për të hyrë në thertore, ndërkohë që në të njëjtën kohë duhej të bënin edhe pagesën prej 10 euro për kasapët që kryenin therjen.
Ndonëse ishte i lumtur që po e përmbushte një obligim fetar, qytetari Sabit Gashi nuk ishte aspak i kënaqur me kushtet ku u ther kurbani të cilin e kishte blerë.
Ai u shpreh se në atë thertore po mungonin kushtet elementare për të bërë therjen e kurbanit.
“Jo aq pastër, po tash disa kushte çfarë janë duhet me pre. Po duhet me iu përmbajte asaj fesë, nëse e mban fenë islame duhet me pre kurban”, tha ai.
Edhe qytetari Faik Rushiti nga komuna e Podujevës, u shpreh se thertorja që gjendej në tregun e kafshëve nuk ishte adekuate për të bërë therjen e kurbanit. Megjithatë, ai thotë se mungesa e ndonjë thertoreje të licencuar në këtë rrethin po detyrohen të kryej këtu therjen.
Rushiti i cili tregoj se për më shumë se 20 vite rregullisht ther kurban u shpreh i zhgënjyer me gjendjen e thertores në tregun e kafshëve.
“Pak pa pastër ish se gjak kish, veç munden ta rregullojnë edhe më mirë me deshtë. Edhe kështu po bojke po bash qysh duhet jo”, tha ai.
Ani pse therja e kurbanëve u bënte në kushte jo adekuate, aty nuk janë parë inspektorë as të komunës së Prishtinës dhe as të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Zyrtar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë i kanë thënë KosovaPress-it, se inspektimet duhet të kryhen nga komuna e Prishtinës dhe jo nga ata.
KosovaPress ka vizituar edhe tregun e kafshëve në Fushë Kosovë, por që aty u bënte vetëm shitja e kurbanëve dhe jo therja.
Tregtarët që shisnin ndonëse nuk pranuan të flasin para kamerës, thanë se mungesa e thertoreve të licencuara po ua vështirëson punën, pasi që qytetarët dëshirojnë që kur të blejnë kurbanin të bëjnë edhe therjen në të njëjtin vend.
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës