Hasanaj thotë se duhet shqiptuar më shumë gjoba për të ndalur ndotjen

00:16 | 23 Prill 2019
Trina Galanxhi

Luan Hasanaj, drejtor i organizatës “Let’s Do It Kosova” në Ditën e Tokës ka thënë se në Kosovë duhet shqiptuar më shumë gjoba për ndotësit në mënyrë që të parandalohet ndotja.

Në Interaktiv të KTV-së, Hasanaj ka thënë se duhet angazhim më i madh i qytetarëve dhe institucioneve nëse duan që të kenë ambient më të pasur.

Sipas tij, shoqëria kosovare ka një sjellje të çuditshme në raport me ambientin e sidomos me lajmërimin e ndotësve. Ai ka thënë se ka përmirësime tek institucionet sa i përket kujdesit ndaj ambientit.

“Ka përmirësime te institucionet. Ka nevojë të bëhet shumë më shumë, por ajo që është parë në vitin e fundit është se shihet një vullnet politik i shtuar, por mbetet shumë për t’u bërë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se këtë të premte do të shpërndajnë 500 shporta e 500 kontejnerë në disa vende në Kosovë. “Do të japim shporta, por më shumë se kjo duhet që shoqëria të jetë më aktive. Kemi shoqëri që me të vërtetë është e çuditshme me sjelljen e saj ndaj natyrës. Edhe më keq për pastrim, e akoma s’është krijuar as besimi në institucionet tona për të lajmëruar ndotjet. Vetëm 100-120 gjoba në muaj shqiptohen”, ka thënë ai.

Në Ditën e Tokës ai ka thënë se aktiviteti më i mirë ka qenë pastrimi i Fushës së Pajtimit në Prishtinë dhe shndërrimi i saj në një park. Lajm të keq e ka quajtur nevojën për pastrim të sërishëm të kampusit universitar. Hasanaj ka shtuar se duhet patjetër të ketë edukim më të madh për fëmijët për mirëmbajtje të hapësirave publike.

Ndër arsyet kryesore për ndotjen e ambientit, sipas Hasanajt, është mungesa e inspektorëve. Ka thënë se duhet të ketë shumë më shumë inspektorë si dhe sa më shpejtë Policia të nisë shqiptimin e gjobave për ndotjen e ambientit.

“Dita e Tokës duhet të jetë çdo ditë për të gjithë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se mund të kritikohen institucionet, por qytetarët duhet kujdesur për pronën publike, ashtu siç bëjnë për atë private.

Rreth 400-500 është numri i deponive të mëdha në Kosovë, sipas Hasanajt. Ka fajësuar grup ndërtuesish për hedhjen e mjeteve në hapësira publike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme