Google ADS

Harrohen shtesat e fëmijëve

08:18 | 8 Qershor 2019
A Z

Tijon Tashkolli, 5 vjeçar nga Prishtina i ishte gëzuar shumë lajmit se do t’i marrë nga 10 euro për çdo muaj.

Madje ai kishte bërë plane se çfarë do të blinte me ato para.

Por nëna e tij, Ganimete Rafuna Tasholli thotë ende nuk ka arritur të gjej arsyetim për mos ndarjen e këtyre mjeteve. Ajo i kishte thënë të birit se ndarja është shtyrë për në shator atëherë kur Tijoni do të filloj edhe parashkolloren.

E nëse edhe deri atëherë nuk do të bëhet zgjidhje, Ganimetja do të duhet që vet t’i jap djalit të saj parë e premtuara nga Qeveria e Kosovës.

Kështu ka thënë ajo në një prononcim dhënë arbresh.info.

Ajo ka shtuar se me afrimin e vitit shkollor janë shpeshtuar edhe pyetjet për paratë e tij.

“Po pavarësisht se i vogël ka dëgjuar dhe ne i kemi treguar për këtë shumë që do të i ndahet, ka qenë entuziast dhe çdo ditë ka pyetur se kur do të merr pjesën që i takon. E pyetjet e tij janë shtuar edhe më shumë kur po afrohet fillimi i vitit të ri shkollor dhe për herë të parë do të jetë në bankat shkollore, por ne i kemi premtuar se deri në fillimin të shtatorit do t’i merr paratë çdo muaj e nëse kjo nuk realizohet nga Qeveria ne detyrohemi që t’i japim nga xhepi jonë sepse ende është shumë i vogël për ta kuptuar procedurën që duhet ndjekur”, ka thënë ajo.

E sipas saj pavarësisht shumës së vogël, ajo do t’i plotësonte disa nevoja për shkollë ose dëshira tjera të djalit të saj.

“Nuk është aspak e mjaftueshme, çmimet po rriten vazhdimisht edhe me rritjen e fëmijëve rritën edhe shpenzimet por me këtë shtesë do të mbuloja disa nevoja elementare të tij ose ndonjë dëshirë të tij. Tash në shtator fillon parashkollore dhe do t’i blija disa gjëra dhe nevoja të tij për shkollë”, ka shtuar ajo.

Nëna e pesë vjeçit nuk beson se ndarja e shtesave do të filloj këtë vit.

“Jo nuk besojmë farë që gjatë këtij viti të filloj shpërndarja e shtesave për fëmije sepse duket që edhet nga iniciuesit e saj është harruar, më as nuk po diskutohet për të”, ka shtuar ajo.

E shpresat edhe më të vogla janë për kompensim.

“Jo nuk presim që do të ketë kompensim të muajve që nuk i kemi marrë, vetëm shpresojmë që shpërndarja të filloj sa më parë”, ka përfunduar ajo në prononcim dhënë arbresh.info.

Ndërsa ka një javë që arbresh.info ka dërguar pyetje te inicuesja e kësaj rezolute, Donika Kada Bujupi por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

E nga Ministria e Punës dhe Mirëqenës Sociale kanë thënë se janë duke bashkëpunuar me Bankën Botërore.

Sipas zëdhënësit të kësaj ministrie, Musa Demiri shtesat e fëmijëve është pjesë e Koncept Dokumentit për fushën e pensioneve dhe beneficioneve.

“Sa i përket legjislacionit për shtesat e fëmijëve MPMS është duke analizuar dhe konsultuar me Bankën Botërore, e cila ka përgatitur një raport ku janë prezantuar disa  praktika të zbatimit të shtesave të fëmijëve në vendet e BE-së dhe rajonit. Krijimi i legjislacionit për shtesat e fëmijëve ka qenë pjesë edhe e Koncept Dokumentit për fushën e pensioneve dhe beneficioneve , i cili koncept dokument i është dorëzuar Zyrës së Kryeministrit/Sekretariatit Koordinues të Qeverise. Në kuadër te koncept dokumentit për fushën e pensioneve dhe beneficioneve është planifikuar krijimi i Fondit të Sigurimeve Sociale, nga i cili fond do të financoheshin edhe shtesat e fëmijëve për të punësuarit, ndërsa për familjet që do të kategorizohen me të ardhura të ulta sipas Testit të Varfërisë, pagesa e shtesave të fëmijëve do të mbulohej nga Buxheti i Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur për kohën e fillimit të shpërndarjes së shtesave, Demiri ka thënë se aprovimi i këtij Koncept Dokumenti do t’i haptë rrugë zbatimit të Rezolutës.

“Me aprovimin e këtyre Koncept Dokumenteve nga Qeveria e Kosovës, do të përcaktohet metodologjia dhe përgatitja e akteve ligjore dhe nënligjore për shtesat e fëmijëve dhe zbatimin e Rezolutës se Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ai.

E rezolute e harmonizuar nga grupet parlamentare në lidhje me shtesat e fëmijëve është miratuar në Kuvendin e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo rezolute ka marrë përkrahjen e 61 përfaqësueseve të popullit ndërsa 1 ka dal kundër e 2 kanë abstenuar.

Atëkohë inicuesja e kësaj, deputetja e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi kishte kërkuara që ndarja e shtesave të filloi gjatë vitit 2019.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës të hartoj dhe të zbatoj sa më parë legjislacionin për ndarje për shtesat për fëmijë në Republikën e Kosovës. Ndarja e shtesave për fëmijë të filloj gjatë vitit 2019. Shuma mujore e shtesave për fëmijë të kategorizohet duke marrë parasysh kriteret përkatëse. Duke përfshirë të hyrat familjare, punësimin e prindërve dhe moshën e fëmijëve. Edhe një herë i ftoj deputetët veç e veç, meqë në grupet parlamentare jemi harmonizuar që t’i japim përkrahje kësaj rezolute”, ka thënë Kadaj Bujupi.

Ndryshe rezoluta për shtesat e fëmijëve parashesh që çdo fëmijë në Kosovë prej 0 deri 16 vjet të gëzojë shtesa çdo muaj duke filluar nga 10 euro në muaj./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme