Haradinaj, Vuçiqit: Nuk mund të kërkosh investime gjermane në një rajon të cilin po e destabilizon

18:30 | 29 Mars 2019
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka goditur presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq duke i thënë po dëshiron të destabilizojë Ballkanin duke detyruar serbët të largohen nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe deputetët e Listës Serbe.

Për Haradinajn kjo është përpjekja e dytë e Vuçiqit, pasi herën e parë dështoi që të shkaktojë trazira përmes idesë për shkëmbim të territoreve

“Pasi dështoi për të destabilizuar Ballkanin përmes idesë së korrigjimit të territoreve, Vuçiq tashmë po tenton të destabilizojë rajonin duke iu kërkuar zyrtarëve serb të lenë postet e tyre publike”, ka shkruar Haradinaj.

Kreu i Qeverisë ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të reagojë kundër kësaj tendence të rrezikshme të Vucicit.

“BE-ja duhet të reagojë kundër një përpjekje të tillë të rrezikshme”, ka shtuar Haradinaj.

Ndër të tjera, Haradinaj ka thënë se ai po kërkon investime nga Volkswageni i Gjermanisë, derisa në anën tjetër po e minon sigurinë dhe paqen në rajon.

“Presidenti Serb, Vucic, po kërkon investime të mëdha nga Gjermania (Volksvagëen), dhe në të njëjtën kohë po e minon paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Kosovë. Kjo hipokrizi duhet të ndalet”, ka thënë në një reagim të dytë në llogarinë e tij në twitter, Ramush Haradinaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme