Haradinaj: Qeveria e fokusuar në zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja

18:55 | 23 Maj 2019
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Paul McCarthy, Drejtor Rajonal për Evropë në Institutin Ndërkombëtar Republikan dhe Antonio Garrastazu, Drejtor nga Qendra Global Impact, me të cilët ka biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast i ka njoftuar për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik, për progresin në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke theksuar faktin se Kosova është pjesë e aleancës globale kundër terrorizmit të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kosova dhe populli i saj janë përjetësisht falënderues për ndihmën dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha proceset e rëndësishme për vendin dhe tani në forcimin e shtetndërtimit dhe zhvillimin ekonomik”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova është e angazhuar për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon dhe e palëkundur në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e fokusuar në forcimin e zhvillimit ekonomik, përmes tërheqjes së investimeve nga jashtë, dhe për këtë ka krijuar infrastrukturën ligjore dhe ka themeluar zona të veçanta ekonomike, përfshirë edhe Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane në Komunën e Gjakovës, e cila do t’i mirëpres investimet amerikane./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme