Google ADS

Haradinaj nuk shkon në atë shkallë sa për t’u prishur me SHBA-të dhe BE-në, thotë Lekaj

19:00 | 12 Mars 2019
Arbresh.info

Ministri i Infrastrukturës dhe nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se çdo këshillë e miqve është e pranueshme.

Ai ka kërkuar të trajtohet me korrektësi thirrja e SHBA-ve për suspendimin e taksës ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja.

“Kryeministri Haradinaj është i vëmendshëm dhe korrekt me faktorin ndërkombëtar, asnjëherë nuk i ka mashtruar. Ka shtytje që taksa të suspendohet, por jo të hiqet. Mendoj që në këtë drejtim ne jemi në qëndrueshmërinë tonë, sepse është vendim sovran. Nuk është se jemi të padëgjueshëm. Për ne, SHBA janë udhërrëfyes i mirë se si merren vendime në favor të zhvillimit të vendit”, ka thënë Lekaj në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Nuk mendoj se Haradinaj dhe Qeveria do të shkojnë në atë shkallë që ne të prishemi me SHBA-në dhe BE-në. Më konstruktiv se Haradinaj dhe kjo Qeveri – nuk ka”.

“Vendimi për taksën duhet të jetë i veçantë në kuadër të dialogut. Ne nuk po e kushtëzojmë dialogun, por jemi që të ulemi në tavolinë që të bisedohet dhe pas marrëveshjes përfundimtare të hiqet taksa”.

Lekaj në Info Magazine ka thënë se nëse hiqet taksa tash, pas kushtëzimit të Serbisë për t’u rikthyer në dialog, kush do të garantojë se në të ardhmen ata nuk do të kushtëzojnë me diçka tjetër.

“Nuk e kundërshtojmë dialogun, as s’e kushtëzojmë. Presioni duhet të jetë në anën e Serbisë. Pas marrëveshjes me garanci ndërkombëtare, ne jemi deklaruar se mund të ofrojmë tregun dhe të suspendohet taksa. Jemi për tregti të lirë dhe bashkëpunim rajonal. Qeveria e Kosovës është mjaft konstruktive në këtë drejtim”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme