Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i tha Zërit të Amerikës se Kosova nuk do të heqë dorë nga tarifat për mallrat serbe, pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian. Ai tha se përplasjet e tij me shefen e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, nuk ndikojnë në marrëdhëniet e Kosovës me bllokun ku ajo synon të anëtarësohet, por janë pasqyrim i trajtimit jo të duhur të Kosovës nga Brukseli.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, sapo jeni kthyer nga një takim i vështirë në Bruksel me shefen e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Cilat ishin çështjet që çuan në përplasje mes jush?
Ramush Haradinaj: Tani janë, besoj tri tema që po na shqetësojnë në marrëdhëniet mes nesh edhe BE-së: dy janë më të ekspozuara, është mospërmbushja e kontratës nga BE-ja për liberalizimin e vizave edhe pse Kosova e ka përmbushur pjesën e vet të kontratës dhe mosmarrja e ndonjë përgjegjësie në këtë rast nga përfaqësuesja e lartë Mogherini, komisionari Hahn dhe kolegët tjerë, të cilët na kanë lënë vetëm tan, që ne të vazhdojmë të lobojmë në çdo qeveri, e ata mund ta bëjnë këtë lobim se e njohin rastin, e dinë që kontrata është përmbushë. Pastaj, është devijimi, apo dalja prej kontrolli e dialogut, nga një dialog për normalizim, është kthyer në dialog për status, ose për territore ose për kufij, që s’ka logjikë. Dhe është vetë bilateralja Kosovë – BE, e cila është shumë e ngurtë në raport me Kosovën, pra na mban atje në stadin e nisjes, por, nuk na lejon me ecë përpara me proceset tjera.
Zëri i Amerikës: Më lejoni t’i marrim një për një. Komisioni Evropian ka dhënë dritën jeshile për liberalizimin e vizave dhe çështja është tash tek Këshilli Evropian, pra përtej duarve të zonjës Mogherini. Përse i keni përqendruar kritikat tek ajo?
Ramush Haradinaj: Tani, të sqarohemi kështu: edhe Komisioni Evropian edhe Parlamenti Evropian kanë vendosë, kjo është përfaqësuesja e lartë e BE-së, ashtu si quhet për politikë të jashtme e siguri, pra ne nuk e shohim ndonjë vazhdim të agjendës së Kosovës si palë që është në dialog, e nikoqire e dialogut është zonja Mogherini në këtë rast. Nuk e shohim ndonjë angazhim të palës sonë në dialog, pra në një proces shumë të vështirë, për ta përkrahë Kosovën në një të drejtë të veten te kolegët e vet brenda BE-së. Kjo i takon ata ministra, ka diskutuar me këshillin e ministrave para pak ditësh dhe nuk e ka menduar të nevojshme, ta zëmë, ta shtyjë në agjendë edhe çështjen e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo është vërtetë një tradhti ndaj Kosovës, nëse flasim kështu, që është treguar shumë e përgjegjshme në marrëdhëniet Kosovë-BE por edhe në respektimin e dialogut në të kaluarën.
Zëri i Amerikës: Cili është shpjegimi i saj në bisedat me ju?
Ramush Haradinaj: Shikoni, ajo e ka një, ta quaj ashtu, një ndarje të përgjegjësive, ashtu siç e thatë edhe ju, se tash është te ministrat e brendshëm, por nuk e shohim ndonjë interesim të palës, ne e kemi palë përfaqësuesen e lartë, që, qoftë të lobojë, apo të sqarojë, apo të bindë ministrat se BE-ja ka hyrë në obligim ndaj Kosovës, se është kontratë e përmbushur nga njëra palë, tani ta përmbushin ata.
Zëri i Amerikës: Ju e keni kritikuar zonjën Mogherini për çrregullim të bisedimeve. Por, përse e keni drejtuar kritikën kundër saj? Çështja e kufijve nuk është ngritur nga zonja Mogheirni, është ngritur nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Përse te ajo përqendrimi?
Ramush Haradinaj: Ky është produkt i ri në dialog, çështja e kufijve. Ajo që e ka lehtësuar dialogun e ka ditë në të kaluarën se mandati i është dhënë për normalizim të çështjeve të mbetura të hapura, e jo në kthimin prapa. Kufijtë janë kthim prapa para 17 shkurtit (2008). Nëse diskutohet çështja e territorit, është në kundërshtim edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, që nuk e ka gjetur në kundërshtim më të drejtën ndërkombëtare shpalljen e pavarësisë sonë. Ky është një kthim prapa, një dalje nga kornizat, nga parimet e dialogut në këtë rast, për çka edhe i është dhënë mandati.
Zëri i Amerikës: Përse duhej të hidhej ajo kundër ideve të dy presidentëve që drejtojnë edhe bisedimet?
Ramush Haradinaj: Shikoni, nikoqiri, ose lehtësuesi e ka marrë për bazë një kornizë, që është normalizim e jo çrregullim i marrëdhënieve. Ju e dini, kur fliten territoret e kufijtë në Ballkan, a është normalizim apo është një çrregullim?
Zëri i Amerikës: Ju thatë në fjalimin tuaj dje se ata që flasin për kufijtë janë armiqtë e Kosovës, po ju citoj. Ka edhe nga aleatët e Kosovës që kanë mbështetur një mundësi të tillë nëse palët merren vesh. A janë edhe ata armiq?
Ramush Haradinaj: Kushdo që e shtynë Kosovën nga diskutimi ose hapja e çështjes së territorit tonë, të kufijve tanë, është armik. S’ka si me qenë mik ai që hap territorin tënd ose kufijtë tu dhe kjo është e vërtetë e nuk ndryshon ndaj kujtdo qoftë. Pra kushdo që ne na propozon sot që ne të ridiskutojmë veten edhe territorin tonë edhe kufijtë tanë, dihet çka është kjo: kjo është një agresion ndaj teje. Ky nuk është i aleatëve ky propozim, mos harroni. Ky është provuar me ju ngjitë aleatëve prej plotëve. E nëse ka dikush që i intereson një situatë e tillë e hapjes së kufijve dhe e lëvizjes me territore, është Vladimir Putin dhe tre mijë rusë që i ka në Serbi si humanitarë. Por, nuk është e aleatëve kjo. Aleatët kanë shprehur respekt për Kosovën dhe Serbinë, duke u thënë që ne do ta shqyrtojmë atë që është e zbatueshme, nëse nuk pengon, nëse nuk ndërhynë në stabilitet, nëse respektohet edhe prej tjerëve. Pra, nuk është se aleatët kanë thënë qartë: ndani ju, ndërroni territoret se ne e pranojmë. Jo. Nuk është ashtu.
Zëri i Amerikës: Por, presidenti i vendit është angazhuar për atë që e ka quajtur korrigjim të kufirit…?
Ramush Haradinaj: Nuk e dimë saktësisht çka nënkupton kjo, por marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi, nuk e ka temë kufirin Kosovë – Serbi. Kufijtë i kemi. E ka për temë normalizimin. Demarkimi është një proces krejtësisht i ndarë dhe nuk ka pse të përfshihet në një marrëveshje Kosovë – Serbi. Ne kufirin e kemi. Ne kemi probleme tjera. Nuk na njeh Serbia. Kemi një listë temash. E kemi përgatitur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, një draft marrëveshje që sot pata nderin me ja dorëzua edhe delegacionit tonë që e votoi parlamenti. Ia kam dorëzuar para pak ditësh edhe presidentit edhe parlamentit, pra kryeparlamentarit por edhe liderëve të partive politike në vend, propozimin e parë të draft-marrëveshjes gjithëpërfshirëse, obligative, ligjore Kosovë – Serbi, për njohje.
Zëri i Amerikës: Si u prit kjo projekt-marrëveshje nga Bashkimi Evropian?
Ramush Haradinaj: E morën si një input ashtu si kishte thënë edhe zonja Mogherini, si një input në përpjekjet për me u gjetë një zgjidhje, ose me u arrit një marrëveshje. Ne do të vazhdojmë ta konsolidojmë, pra ta ndërtojmë këtë marrëveshje deri në atë që e ka marrë obligim edhe delegacioni, që është një platformë e Kosovës. Pra, ekzekutivi në këtë rast do të vazhdojë me ndërtue, pra me e përgatitë me e bë gati kontratën gjithëpërfshirëse Kosovë – Serbi.
Zëri i Amerikës:Një prej çështjeve që është bërë shumë e diskutueshme edhe në një letërkëmbim të ditëve të fundit, është çështja e tarifave ndaj mallrave serbe. Bashkimi Evropian dhe zonja Mogheirni kërkuan sërish nga ju që të hiqni tarifën, madje duke ofruar edhe një kompromis. Në çfarë kushtesh, përveç asaj që keni thënë se jo pa njohje të Serbisë, në çfarë kushtet do të pranonit ta hiqnit këtë taksë, zoti kryeministër?
Ramush Haradinaj: Ne kemi shprehur shqetësimet tona në vazhdimësi për mosrespektim të CEFTA-s nga Serbia. Në na janë vu barriera, por jo tarifore. P.sh. nuk na e kanë njohur një certifikatë të mallit, nuk e kanë njoftë tabelën, nuk e ka njohur vulën, do të thotë kurrgjë e Kosovës nuk ka mundur të hyjë në Serbi. Njëjtë ka vepruar Bosnja. Ju e dini se na janë ndaluar edhe sportistët. Hendbollistet tona kanë mbetur me orë duke pritur në kufi për një garë ndërkombëtare atje në Novi Sad. Por, asnjëherë BE-ja nuk ka reague. Ju siguroj se janë me dhjetëra ankesa, shkresa, kërkesa për ndihmë; asnjëherë s’na kanë trajtuar. Ju e dini që është marrëveshja e energjisë nga e cila humbim 30 milionë e nuk e zbaton Serbia. Humbim po ashtu miliona në IBM (menaxhimi i integruar i kufirit) dhe prapë nuk e zbaton Serbia. Pra, të gjithë këto kërkesat tona asnjëherë s’janë shqyrtuar. Serbia jo vetëm që s’ka respektuar marrëdhëniet ekonomike tregtare me Kosovën, qoftë të CEFTA-s qoftë të marrëdhënieve tjera, por ka kaluar në agresion ndaj nesh duke e rrezikuar shtetësinë e Kosovës, qoftë me punën që e bën për heqjen e njohjeve, një punë që është joligjore realisht, në shumicën e rasteve me metoda joligjore qysh ju qasen vendeve të shumta, por po ashtu edhe me kërcënime tjera, Ishte rasti i INTERPOL-it, ju e dini si kaloi ajo ditë. Duke qenë kështu, Kosova ka marrë një vendim, ky është vendim sovran i një vendi sovran, që mbron sigurinë kombëtare. Asnjë rregull as e CEFTA-s, as botërore, nuk të detyron ty me e heqë një masë e cila e mbron sigurinë kombëtare. Kjo është një masë e zorit. Nuk e kemi marrë nga dëshira. Është një masë kur s’kemi pasur ku të shkojmë tjetër. Ky vendim ka ndodhë. Ky vendim ka edhe disa veprime të tjera të mundshme me ndodhë, pra të tjera. Kur kemi marrë masën prej 10 për qind, ne e kemi paralajmëruar Serbinë që të ndalet se do ta rrisim. Serbia e ka rritë agresivitetin. Ne nuk kemi vazhduar me masa të reja tani së fundi. Kemi pauzuar një kohë, pra nuk e kemi vazhduar më tutje. Mirëpo, ekziston arsyeja me vazhdue më tutje. Nuk kemi arsye me e heqë këtë masë për ndonjë temë të caktuar. Nuk kemi arsye. E vetmja arsye me e heqë këtë masë është për një marrëveshje që i zgjidhë problemet. Një nga një ,problemet nuk po zgjidhen. Serbi nuk i zbaton ato që merresh vesh. E vetmja herë që ne biem dakord me e heqë masën, kur ulemi e merremi vesh për të gjitha temat, përfshirë njohjet dhe njëra nga temat është tregtia e lirë dhe ne jemi të interesuar për tregti të lirë. Ndryshe, situata ka me shkue kështu; çështja e taksës që është vendosë prej Kosovës, është në ekuivalencë më njohjen nga Serbia. Pse? Ne e kemi një interes nga Serbia: njohjen, për shkak të, ta quaj ashtu, lehtësimit të perspektivës tonë ndërkombëtare. Jo se perspektiva jonë ndërkombëtare nuk do të ndodhë, por e lehtëson njohja. Serbia ka po ashtu një interes; tregun e Kosovës. Kurdo që ata janë të gatshëm, ne jemi, nuk ka nevojë të presim gjatë. Por, nëse ata nuk janë sot, ne i presim.
Zëri i Amerikës: Diskutimet rreth këtyre çështjeve çuan në përplasjet tuaja të shpeshta me Bashkimin Evropian dhe me shefen e politikës së jashtme zonjën Mogherini. Ka vlerësime edhe të vëzhguesve që kjo mund të rrezikojë marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian. Ju si mendoni?
Ramush Haradinaj: Unë punoj shumë, intensivisht me qeveritë veç e veç të Bashkimit Evropian, të vendeve të respektuara. Kemi marrëdhënie shumë të besueshme me shumicën e këtyre qeverive edhe me institucionet e Bashkimit Evropian. Kemi disa dallime me përfaqësuesen e lartë, janë përmbajtjesore edhe kuptohet që ato janë kështu. Kosova nuk do të pranon një pozitë ndryshe nga secili vend i rajonit në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Nuk është faji ynë që nuk na kanë njohur pesë shtete të BE-së, është përgjegjësi e tyre si Bashkim Evropian kur po flasim, nëse ata nuk mund të zgjidhin këtë pra me pesë shtetet e tyre ata nuk duhet të kërkojnë që Kosova ta paguaj çmimin, pra nuk është faji ynë. Sikur të them unë që tri komuna të Kosovës nuk po mendojnë kështu për marrëdhëniet e mia me Bashkimin Evropian ose tre ministra të qeverisë sime nuk po mendojnë kështu. Ne duhet ta kuptojmë që marrëdhëniet janë dypalëshe Kosovë-Bashkimi Evropian, nëse BE është e gatshme, vazhdojmë.
Zëri i Amerikës: Por, Kosova ka nevojë për Bashkimin Evropian dhe kritikat e vazhdueshme ndaj saj a nuk rrezikojnë të nxisin ndjesi anti evropiane në Kosovë?
Ramush Haradinaj: Shikoni, nuk duhet të ndodh kështu, nuk ka arsye që Kosova të ketë ndjesi anti evropiane mirëpo edhe ne Evropën e shohim si palë. Kurrkush nuk ka nevojë për një palë tjetër nëse asgjë e kontratës nuk zbatohet. Çka është interesi i qytetarit të Kosovës me Bashkimin Evropian që një obligim më të thjeshtin, që është liberalizimi i vizave, nuk e zbaton në kontratë. Çfarë marrëdhënie kontraktuale afatgjate do të krijon Kosova nëse edhe këtë marrëdhënien e parë ata nuk e nderojnë. Kemi rënë dakord, kemi qitur kushtet, i kemi plotësuar ato kushte, pse nuk përmbushet kontrata nga pala tjetër? Nuk është që ne dëshirojmë të kritikojmë, ne jemi popull i respektueshëm si Kosovë dhe shqiptarët në përgjithësi, por jemi vënë në pozitë të tillë.
Zëri i Amerikës: Por, Bashkimi Evropian vazhdon të ketë rolin kryesor edhe në atë që vlerësohet një prej proceseve më të rëndësishme të Kosovës, që është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Si mund të reflektohen të gjitha këto në këtë proces zoti kryeministër?
Ramush Haradinaj: Cili normalizim më falni! Sa është normale gjendja sot?
Zëri i Amerikës: Ju keni thënë që jeni në favor të bisedimeve?
Ramush Haradinaj: Jemi për dialog, mirëpo duhet të normalizohet dialogu. Për të normalizuar marrëdhëniet Kosovë-Serbi, kushti i parë është që të normalizohet dialogu. Nëse dialogun e mendojmë si dialog për statusin e Kosovës, ne e kemi shpallur vetën shtet më 17 shkurt 2008, kush ka problem me këtë është problem i tyre, por nuk është i imi, as i popullit të Kosovës. Ka vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në konflikt me të drejtën ndërkombëtare, pra shiheni, nuk është status, nuk është po ashtu për territore, sepse ne nuk kemi vendos në shitje territorin tonë, as kufirin, as vetveten dhe jemi shtet si çdo shtet tjetër. Kërkoj, me të drejtë kërkoj prej çdo zyrtari të Bashkimit Evropian, prej çdo zyrtari të cilido shtet, të sillet me respekt për atë se kush është Kosova shtet sovran. Kushdo që ka problem me këtë, nuk është problemi ynë pastaj, pra ne nuk mund të ndryshojmë për hatër të secilit, dikujt i bie ndër mend kjo dikujt ajo, si t’ia bëjmë ne si shtet?
Zëri i Amerikës: Serbia ka kushtëzuar vazhdimin e këtyre bisedimeve me heqjen e tarifës që e keni vendosur ju zoti kryeministër. Si do të mund të harmonizoni këto veprime, të mbani taksën dhe të angazhoheni për bisedime?
Ramush Haradinaj: Po edhe ne mund të vendosim një kusht, pa kërkim falje nuk shkojmë në dialog. Unë këtu ku jeni ulur ju kam pasur Vasfije Krasniqin dhe kam dëgjuar tregimin e saj, viktimë e dhunës seksuale në luftë prej forcave serbe. Janë rreth 20 mijë zonja, ne po mund të shkojmë në tavolinë duke e kaluar këtë pra pa një kërkim falje. Mos të harrojmë se edhe zoti Vuçiç edhe zoti Daçiç dhe të tjerët, kanë qenë pjesë e aparatit në të gjitha proceset. Ne pranojmë të ulemi me ta edhe na e ka kërkuar populli që të mos shkojmë në dialog pa kërkuar falje, mos shkoni në dialog pa i kthyer të zhdukurit, ende sot e kësaj dite presim trupa pa jetë të kthehen në kufi, ky është populli i Kosovës, ende sot e kësaj dite nuk ka drejtësi për këto masakra që kanë ndodhur në Kosovë e mos të flasim për femrat e dhunuara, ndërsa ne shkojmë në dialog. Pastaj, dikush na thotë neve që Serbia nuk po pranon pa e hequr taksën. Po mirë, mos të pranon, nëse është ashtu çfarë na duhet ai dialog neve, më falni ai nuk është dialog në këto raste.
Zëri i Amerikës: Por Kosovës megjithatë i duhet normalizimi me Serbinë apo jo zoti kryeministër. Nuk mund të hyjë në procese integruese pa normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
Ramush Haradinaj: Po na duhet normalizimi, por nuk na duhet procesi që na ka sjellë deri tek këto telashe që jemi sot. Pra nuk kemi arsye ne të heqim taksën për t’u kthyer në një proces shkatërrues për Kosovën, kur në të njëjtën kohë sa ndodhë tavolina, rritet agresiviteti i Serbisë kundër nesh në planin ndërkombëtar, planin e brendshëm dhe rajonal, pse ne duhet të kthehemi edhe njëherë në atë gjendje. Ne kemi filluar një kurs të ri dhe duhet ta kuptojnë të gjithë se është një Kosovë tjetër sot, një Kosovë që i ka analizuar mirë dhjetë vjet të dialogut, e ka parë se çfarë ka ndodhur në këto pesë vjetët e fundit që po shfrytëzohet dialogu që të mashtrohen shtete, duke ju thënë Serbia, ju lutem largojeni njohjen mos e njihni Kosovën se në kuadër të Bashkimit Evropian jemi duke biseduar për statusin e Kosovës, pra nuk është Kosova shtet, jemi ne dhe jemi duke zgjedhur statusin dhe me mundësinë që të kthehet nën Serbi. Pse ne të kthehemi në atë realitet? Çka është interesi i njerëzve të Kosovës? Nëse në të vërtetë dikush kujton që ne jemi aq të pazotë e të padijshëm, kanë gabuar shumë, ne jemi të respektueshëm. Neve na ka ndihmuar bashkësia ndërkombëtare, ne gjithë do ta nderojmë këtë marrëdhënie të përkrahjes e respektit, por ne nuk mund të dalim nga vetvetja për hatër të dikujt e prandaj i kam kërkuar edhe dje që në dialog, se ju po thoni që kërkohet normalizimi, po, por nuk po mundet Bashkimi Evropian, ju e shihni që pa Amerikën nuk po mund ta kryej këtë temë. Nëse dikush mendon që zonja Mogherini do ta zgjidhë çështjen e Kosovës dhe Serbisë, atëherë gabon rëndë, kjo po shihet që është përkeqësuar në kuadër të udhëheqjes së zonjës Mogherini dhe është mirë që amerikanët të hyjnë në tavolinë. Wshtë mirë që të ftohen edhe kolegë të vendeve të Quintit, edhe Berlinin dhe të kryhet kjo punë, por nuk do të shkojë kjo punë në formën si ka ndodhur deri tani për shkak se vetëm sa është përkeqësuar marrëdhënia mes dy popujve.
Zëri i Amerikës: A rrezikon kjo kërkesë hapjen e mundësisë që Serbia të kërkojë aleatët e saj në këto bisedime zoti kryeministër, ta zëmë Rusinë?
Ramush Haradinaj: Shikoni, çështjet që janë për diskutim shumica ndodhin në Kosovë pra për shumë pak tema të asaj se çfarë ndodh në Serbi diskutojmë. Zoti (Albin) Kurti e kishte një deklarim dje për materialin që i kemi dhënë, tha është kthimi i Serbisë, nuk është ashtu. nuk është e vërtetë që e kthejmë Serbinë, por temat që janë objekt i diskutimit, shumica e tyre ndodhin në Kosovë dhe për temat që ndodhin në Kosovë, Rusia nuk do të ketë fjalë kurrë, këtë le ta kuptojë gjithkush, ne jemi palë lufte me të dhe nuk do të ketë fjalë, Kosova është Kosovë. Rusia i ka tre mijë të akredituar në Serbi si personel humanitar dhe ne dimë çfarë personeli humanitar janë, ne jemi çdoherë në përballje me ta, pra nuk fshihemi se jemi dy bota të kundërta në këtë rast dhe çështja e zgjidhjes së marrëdhënieve Kosovë-Serbi, po vendet e Kuintit mund të ndihmojnë edhe ne e mirëpresim këtë, por nuk presim ndihmën e Rusisë në këtë temë.
Zëri i Amerikës: E thatë edhe më herët se njohja nga Serbia është e rëndësishme për Kosovën sepse lehtëson punën e saj. Zoti kryeministër në këto rrethana si mendoni se mund të bindet Serbia për të njohur Kosovën kur nuk është bindur tash e dhjetë vjet përkatësisht 11 po bëhen tashmë që kur është shpallur pavarësia e Kosovës?
Ramush Haradinaj: Këta e kanë shfrytëzuar Kosovën si kartë politike, zgjedhore, i shfrytëzojnë edhe sot si dhe serbët e Kosovës. E vetmja mënyrë për të bindur Serbinë është që t’i kryejmë punët e shtëpisë por në të njëjtën kohë për të dhënë edhe një ofertë respektueshme për Serbinë.
Zëri i Amerikës: A jeni të gatshëm të kryeni punët e shtëpisë duke mos pasur një konsensus të plotë ndërmjet partive politike në Kosovë për procesin e bisedimeve por edhe raportet tuaja me presidentin e Kosovës dhe qëndrimet goxha të ndryshme që i keni rreth këtij procesi?
Ramush Haradinaj: Po unë besoj që jemi në një drejtim të konsensusit të brendshëm, pra është në drejtim nuk është që është kryer por po punojmë. Kjo marrëveshja që kemi dhënë pra propozimi draft marrëveshja ka marr kritika pra janë dhënë kritika e vlerësime por nuk e shoh si largim, nuk mund të na largoj ky dokument, unë shpresoj që ky dokument të cilin kam pasur nderin t’ia jap edhe ambasadorëve të respektuar të vendeve të Kuintit, duke filluar prej ambasadori të Amerikës por edhe ambasadorëve tjerë edhe palëve tjera në Kosovë, unë besoj që po shkojmë nga një materie dhe nuk ka nevojë që të gjithë ne të flasim gjëra e njëjta secili, por propozimi të jetë një për gjithë Kosovën. Kur Kosova ka një propozim edhe opozita e përkrahë atë me ndonjë vërejtje të caktuar se çdo herë është ashtu, atëherë do të mund të themi se kemi pozicion të qëndrueshëm.
BBVA4 nis të shtunën, mesazhi i Sara Hoxhës: Kemi sakrifikua...
Nesër seanca e përbashkët plenare, deputetët shqiptarë dhe k...
Ledri Vula lanson këngën e re “Oj oj oj”
Osmani: E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për...
71 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë
Ancelotti bëhet trajneri më i trofeshëm në histori të Real M...