Haradinaj: Ju siguroj se e kemi punën mirë për vizat – punojmë për këtë vit

18:26 | 10 Qershor 2019
M. A.

Kryeministri Ramush Haradinaj është kthyer pak ditë më parë nga vizita e tij zyrtare në Berlin ku është pritur nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Ai në një intervistë ekskluzive në Info Magazine të Klan Kosovës ka folur për rëndësinë e këtij takimi.

“Mendoj se është me rëndësi ta konfirmojmë që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë kanë arritur një nivel më të lartë të tyre. Është një marrëdhënie dhe situatë e re”.

“I kemi trajtuar të gjitha temat dhe zakonisht bëjmë kujdes se si i elaborojmë ato”.

“Ka lajme të mira për Kosovën. Një nivel i tillë i marrëdhënieve së pari e përshpejton liberalizimin e vizave, por pastaj edhe në aspektin e marrëdhënieve rajonale, ato bilaterale me Gjermanisë si dhe në rrugën e integrimeve evropiane ndikojnë pozitivisht”.

Pas takimit me kancelaren Angela Merkel, kryeministri Ramush Haradinaj në një deklaratë për mediat u duk shumë më pesimist se sa herave të tjera për liberalizimin e vizave.

Megjithatë vet Haradinaj thotë se nuk është pesimist dhe pret lajme të mira së shpejti për këtë temë.

“Është mënyrë e të shprehurit sepse e di që e kemi punën mirë për vizat. Duhet të jemi serioz dhe të mbetemi në temë”.

“Kam kufizimet e mia sa mund të flasë dhe mund të hyjë në detaje në këtë etapë, por mund t’iu siguroj se e kemi punën mirë”.

“Nuk do të shkojë larg deri te marrja e njoftimeve të caktuara. Nuk do të na trajtonte Gjermania në atë nivel të marrëdhënieve sikur të mos ishim palë serioze”.

Por, kur do të mund të lëvizin kosovarët pa viza në vendet e Bashkimit Europian?

“Nuk flasim për vitin tjetër. Punojmë për këtë vit”.

“Nuk është optimiste, është bukur reale. Do të kemi lajme të mira. Po bëjmë përpjekje të mos ndërlidhem me asnjë temë, por të jemi temë në vete”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme