Haradinaj: Amerika për taksë kurrë s’e heqë ushtrinë, mos u mërzitni

23:08 | 1 Mars 2019
Arbresh.info

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se SHBA nuk ka mundësi që t’i tërheq trupat ushtarake nga Kosova për shkak të taksës.

“Amerika sa për taksë kurrë s’e heqë ushtrinë, mos u mërzitni. Nëse ka plan ta heq do ta heq me taksë e pa taksë. ‘Bondsteel’ hiqet vetëm nëse Amerika e ka në planet e saj globale këtë. Nuk e merr këtë vendim lidhur me taksën, për natyra tjera mundet. Këto vendime merren ndryshe, sepse kanë të bëjnë me sigurinë globale”, ka thënë Haradinaj për televizionin publik.

Ai ka thënë se i vjen keq që spektri politik në vend është i ndarë për taksën, ndërsa pa përmendur emra ka thënë se dikush nga politikanët kosovarë i ka paraqitur ndryshe punën SHBA-së, sa i përket çështjes së dialogut.

“Amerikës ia kam frikën kur dikush i yni shkon atje e rren. Ky është rreziku i vetëm. Rreziku nuk është Amerika, as Europa – por jemi ne. Situata është kështu si është. S’ka si të ketë koordinim me dikë që del jashtë Kushtetutës. Më vjen keq që jemi ndarë kështu. Po të ishim bashkë për taksën do ta ngritnim Kosovën një shkallë më lartë në raport me Serbinë, Evropën, Amerikën”, ka thënë Haradinaj.

“Dalja është që të bashkohemi për taksën si për Trepçën. Amerika nuk e ka kundër neve. Ne e kemi vënë në lajthitje. Për ushtrinë ishim unikë, u zgjidh problemi. Ju bëj thirrje të gjithëve që të bashkohemi”.

“Unë s’kam marrë vendim anti-kushtetues për taksën. Veprimi është ligjor, demokratik i drejtë. Edhe CEFTA e parasheh. Trump po merr kësi vendime, po i vë sanksione Kinës, Iranit dhe Rusisë”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme