Han: Serbia të ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve

21:06 | 30 Gusht 2019
Arbresh.info

Komisionari i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, tha të premten se Kosova duhet të heqë tarifat ndaj mallrave serbe dhe Serbia duhet t’i jap fund fushatës për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai i bëri këto komente në Helsinki ku të premten ministrat e BE-së takuan ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Komisionari Hahn tha se rezultati i bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është element thelbësorë për ardhmërinë evropiane të rajonit. Ai shfaqi shpresën se pas zgjedhjeve në Kosovë, që mbahen më 6 tetor, “gjërat do të jenë të më qarta” dhe më pas “të hyhet në negociata përfundimtare”.

Ai tha se Kosova duhet të heqë tarifat “që janë në kundërshtim me frymën e BE-së” dhe “Serbia duhet të përmbahet nga kjo nisma e tërheqjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës”.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve janë pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Prishtina vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, në kundërpërgjigje ndaj fushatës së Beogradi kundër shtetësisë së Kosovës.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre është kusht për integrimet evropiane që janë aspiratë e të dyja vendeve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme