Google ADS

Hamza: Hapja e pikës doganore në portin e Durrësit, ditë shumë e rëndësishme

13:35 | 15 Janar 2019
V. S.

Ministri i Financave të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se hapja e pikës doganore të Kosovës në portin e Durrësit është një ditë e rëndësishme për Kosovën.

Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e hapjes së punës së doganës së Kosovës në këtë port, ai ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama që ka ofruar përkrahjen për këtë gjë, e po ashtu edhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, njëherësh koordinatorin kombëtarë të dy qeverive, Fatmir Limaj.

Sipas Hamzës, ministria e tij është duke punuar ngushtë me ministrinë e Financave të Shqipërisë në mënyrë që të unifikohen ligjet për të pasur më shumë lehtësime.

Gjatë vitit të kaluar, sipas tij, ka pasur një rritje prej 39 për qind të eksporteve nga Shqipëria në Kosovë, ndërsa nga Kosova në Shqipëri ka pasur 23 për qind rritje.

“Jam i nderuar të marr pjesë në hapjen e pikës doganore të Kosovës në portin e Durrësit. Kjo ngjarje kaq e madhe do të ishte vështirë e realizueshme pa përkrahjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës , për çka e falënderojë shumë.

Faleminderit Fatmir Limajt për një angazhim të madh që ne sot vijmë në një ditë kaq të rëndësishme.

Jemi duke punuar ngushtë me ministrinë e Financave të Shqipërisë që t’i unifikojmë ligjet, legjislacioni dhe t’i lehtësojmë procedurat burokratike që të përballemi me procedura sa më të njëjta.

Kjo ka reflektuar në rritjen  e shkëmbimit tregtar, në qoftë se e marrim vitin e kaluar kemi pasur një rritje prej 39 për qind të eksporteve nga Shqipëria e Kosovës, 23 për qind nga Kosova në Shqipëri. Besoj që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe shpresojë”, ka thënë Hamza./Indeksonline/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme