Haley i kërkon OKB-së tërheqjen e UNMIK-ut nga Kosova

11:01 | 17 Tetor 2018
Arbresh.info

Ambasadorja e deritanishme e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, ka kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, që të tërheq misionin e UNMIK-ut nga Kosova.

Letra është dërguar më 9 tetor, në po të njëjtën ditë kur Haley kishte njoftuar tërheqjen e saj nga posti i Ambasadores në OKB, ndërsa në letër ajo ka vlerësuar përpjekjet e Guterresit për ruajtjen e paqes në botë.

“Kur misionet paqësore të OKB-së bëjnë punë të mirë, vendet janë në gjendje t’i japin fund konfliktit, të krijojnë procese demokratike politike dhe t’i zhvillojnë kapacitetet e veta. Për vite me radhë, misioni i OKB-së në Kosovë [UNMIK] ka qenë shembull i asaj se si OKB-ja ka menaxhuar një konflikt kompleks”, ka thënë Haley.

Suksesi i Kosovës, vazhdon Ambasadorja në letrën e saj, “i shënuar me 10 vjet pavarësi këtë vit, duhet të jetë shkas për festë dhe simbol i kontributit të madh të OKB-së ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon”.

“Fatkeqësisht, UNMIK-u mbetet i pandryshuar, pavarësisht progresit dhe deklaratave të vazhdueshme nga shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se UNMIK-u ka kohë që e ka përfunduar mandatin e tij”, shkruan më tej në letrën e Haleyt.

“Për këto arsye, kërkoj nga Sekretariati të ushtrojë autoritetin e tij dhe të iniciojë një rishikim strategjik të UNMIK-ut për të zhvilluar një strategji dalëse. Ndërmarrja e këtyre hapave do t’i jepte KS të OKB-së informacione për t’iu qasur dhe vlerësuar prezencën e OKB-së në Kosovë, siç bëjmë me të gjitha misionet tjera të OKB-së. Marrja e këtij hapi, po ashtu, do të avanconte normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në ambiciet e tyre të përbashkëta për t’u integruar me fqinjët e tyre evropianë. Për më tepër, jam e bindur se një rishikim i tillë dhe një strategji dalëse do të ruajë integritetin e përpjekjeve tuaja të gjera paqeruajtëse për reforma”, ka theksuar tashmë Ambasadorja në largim e SHBA-së në OKB, Nikki Haley.

Në fund, ajo e falënderon Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe i thotë se pret me padurim “të vazhdojmë të punojmë bashkërisht për të ndihmuar në mbështetjen e përpjekjeve për paqe në Kosovë dhe në mbarë botën”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme