Google ADS

Haley: Administrata amerikane flet me një zë për Kosovën

10:04 | 21 Shtator 2018
Arbresh.info

Ambasadorja amerikanë në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha të enjten se “pozicioni amerikan për Kosovën nuk ka ndryshuar dhe ajo mbetet vend mik i Shteteve të Bashkuara”.

E pyetur nga gazetarët për qëndrimin amerikan në dritën e deklarimit të mëhershëm të këshilltarit për siguri kombëtare John Bolton që “nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, Shtetet e Bashkuara nuk e përjashtojnë rregullimin territorial”,ajo tha “nuk mendoj se pozicionet tona kanë ndryshuar. Ajo çka po dëgjoni është ajo që kemi thënë gjithmonë. Ne gjithmonë e kemi çmuar Kosovën, dhe e vlerësojmë si shtet mik dhe kështu do të mbetet edhe në të ardhmen. Mund të ketë zëra individual në administratë që flasin, por kur flasim si administratë, do të flasim me një zë të vetëm dhe kështu do të jetë”, tha ajo.

Që nga deklarata e zotit Bolton, zyrtarë amerikan kanë ritheksuar se “Shtetet e Bashkuara duan t’u japin hapësirë të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje “krijuese”, që do të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe do të çojë përpara sigurinë”.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, senatori Ron Johnson tha më herët gjatë këtij muaji se “pas çdo marrëveshjeje të arritur ndërmjet Kosovës e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do ta shohim atë për të parë nëse ka ndonjë shqetësim”.

Deklarimet e tilla pasuan qëndrimet e shprehura nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç, për një marrëveshje që nuk përjashton ndryshimin e kufijve.

Presidenti serb, e ka shpallur politikë të tij për kufizimin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa presidenti i Kosovës po vazhdon të mbrojë idenë e tij për korrigjimin e kufirit me Serbinë, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme