Hadërgjonaj rrëfen momentin e rënies së heroit Sali Çekaj në Koshare

18:41 | 19 Prill 2019
A. B.

20 vite më parë në njërën prej betejave më të lavdishme të UÇK-së, në Koshare ka rënë dëshmorë gjenerali Sali Çekaj.

Bashkëluftëtari i Sali Çekajt, ish-komandanti i batalionit 2, Brigada 138, Fadil Hadërgjonaj, ka rrëfyer momentin e rënies së heroit Sali Çekaj.

Hadërgjonaj tregon se gjatë luftimeve në Koshare, Sali Çekaj ka grumbulluar disa ushtarë dhe ka vendosur t’i dalë në ndihmë grupit të tij.

“Forcat elitare serbe na ishin futur nga krahu i majtë. Shyqyr Zotit ushtarët nuk e kanë ditur se kush janë, por unë i kam njohur. Ato njësi kishin pajisje të teknologjisë së lartë që dedektonin gjallesat përmes nxehtësisë. Salihu më ka pyetur në radio-lidhje se ku gjendemi dhe unë i kam shpjeguar se do të bëj dy gjuajtje në ajër për të na identifikuar. Në këtë mënyrë ai na është bashkuar”, tha ai në një intervistë për RTV Dukagjini.

Hadërgjonaj tregon më tej se për një moment është dëgjuar një zhurmë e madhe në mal, dhe ata kanë filluar të ndjekin forcat serbe të cilat ishin tërhequr e të cilat kishin filluar të gjuanin me predha nga distanca për të penguar avancimin e UÇK-së.

“Pasdite, një pjesëtar i ushtrisë serbe kishte mbetur i hutuar dhe Salihu e shihte dhe vazhdimisht gjuante në të, por ata mbuloheshin vazhdimisht me predha. Në një moment e kam parë që Salihu derisa ishte duke gjuajtur, është rrëzuar. Ne u ngritëm, sepse vazhdimisht mbroheshim nga predhat, por e pamë se Salihu nuk u ngritë. I thashë një ushtari të shkojë ta shoh, unë do ta mbuloja me gjuajtje. Ushtari ka shkuar dhe ma ka bërë me dorë se nuk reagon. Jam afruar vetë dhe e kamë parë që e ka goditë plumbi mbi vetull, që besoj se ka qenë snajper dhe nuk ka pasur më mundësi të reagoj”, rrëfen më tej Fadil Hadërgjonaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme