Guvernatori paralajmëron ulje të normave të interesi t në kredi

12:00 | 4 Nëntor 2018
V. S.

Norma e interesit për kredi do të ulet gjatë vitit të ardhshëm, ka thënë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Mehmeti për EO ka shtuar se 70% e kredive u dedikohet bizneseve dhe kjo, sipas tij, tregon rolin e sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë së vendit.Sipas tij, përmes kësaj uljeje do të lehtësohet qasja në financa në sektorin bankar dhe në anën tjetër do të rritet edhe shkalla e ndërmjetësimit financiar.

“Sa u përket normave të interesit në kredi kemi zhvillime pozitive në këtë kontekst, për faktin se me të dhënat e fundit që kemi në dispozicion norma efektive e interesit në kredi për biznese dhe ekonomi familjare shënon 6.34%. Nëse e shohim normën efektive të interesit të kredive vetëm për biznese shënon 5.85%, derisa nëse shohim normën efektive të interesit për kredi hipotekare shënon prej 4 deri në 5%”.

“Kjo ka bërë që të rritet dhe të lehtësohet qasja në financa në sektorin bankar dhe në anën tjetër të rritet edhe shkalla e ndërmjetësimit financiar. Duhet ta potencoj faktin se diku rreth 70% e kredive u dedikohet bizneseve dhe kjo e tregon rolin e sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë së vendit”.

Kurse sa u përket depozitave, ato arrijnë në mbi 3 miliardë euro, ku 70% e tyre i përkasin ekonomike familjare.

“Depozitat arrin 3.13 miliardë euro me një rritje vjetore prej 5.8%, 70% të depozitave i përkasin ekonomive familjare, ndërkaq pjesa tjetër i përket bizneseve. Duke i pasë parasysh dy tregues, uljen e normave të interesit në vazhdimësi prej vitit në vit dhe konkurrencën në rritje në sektorin bankar, janë faktorët kryesorë që na bëjnë neve me besuar që do të ulet edhe më tutje norma e interesit. Nëse kthehemi 5 vite më herët normën e interesit në kredi e kemi pasë dyshifrore”.

Sa u përket institucioneve mikrofinanciare të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, ai tha se janë të rëndësishme për ekonominë e vendit, derisa theksoi se po shikojnë mundësitë për zgjidhje të pranueshme.

“Tash ligji për institucione mikrofinanciare, financiare dhe bankare është në Kuvend të Kosovës, është në leximin e dytë, pikë kontestuese është pikërisht kjo dhe çka tutje me këto institucione mikrofinanciare që kanë statutin e OJQ-së. Ky sektor po shihet si plotësues i kreditimit”.

“Nëse e shohim në baza ditore në këtë sektor kemi diku 34% rritje të kredive, në anën tjetër norma e kredive performuese në këtë sektor është 2.6% dhe ne jemi të interesuar me i ruajtë si sektor, mirëpo jemi të interesuar edhe me bë një zgjidhje për këto institucione mikrofinanciare që e kanë statutin e OJQ, një zgjidhje që është e pranueshme edhe për shtetin e Kosovës, por edhe për këto institucione”.

Mehmeti tha se Kosova qëndron në trend pozitiv sa i përket sektorit financiar derisa theksoi se janë duke draftuar planin e ri 5-vjeçar për Bankën Qendrore.“Sa i përket zhvillimeve në sektorin financiar, sektori financiar prej vitit në vit po shënon rritje, nëse e shohim në baza vjetore, sektori financiar ka shënuar rritje si të gjithë treguesit, ka një rritje të aseteve rreth 6%. Nëse e shohim sektorin bankar që komponent kryesor karakterizohet me rritje të gjithë treguesve, si të kredive ku kemi rritje në baza vjetore 12% të depozitave 5.8% dhe të aseteve 6% pra një krahasueshmëri në baza vjetore.

Kjo tregon se bankat janë mirë të kapitalizuara në anën tjetër bankat janë likuide. Raporti i likuiditetit shënon 33% që është mbi minimumin e kërkuar rregullativ që kërkohet të jetë 25%”.

“Ne kemi arritur ta përmbushim planin strategjik që e kemi pasë 5-vjeçar dhe faktikisht jemi duke e draftuar planin e ri 5-vjeçar. Ky plan mbështetet në 7 shtylla kryesore që shtylla e parë është përmirësimi i cilësisë së rregullimit të mbikëqyrjes së institucioneve financiare, qëllimi i dytë është rritja e efikasitetit dhe stabilitetit të sistemit të pagesave…”.“… përmirësimi i cilësisë së statistikave dhe analizave ekonomike, rritja e mbrojtjes dhe shfrytëzuesve të shërbimit financiare dhe të pagesave, ofrimi efikas dhe efektiv për shërbime për institucione financiare publike, forcimi i qëndrueshmërisë financiare të Bankës Qendrore, modernizimi i proceseve dhe operacioni i punës së BQK-së”.

Në mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës me 60 vota pro ka zgjedhur Fehmi Mehmetin Guvernator të ri të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Fehmi Mehmeti në shtator të vitit 2017 ishte emëruar nga Bordi i BQK-së për ushtrues detyre të Guvernatorit, ndërsa në vitin 2013 Mehmeti ishte emëruar në pozitën e zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare në BQK./EO/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme