Google ADS

Guvernatori Mehmeti: Në Kosovë kemi mbi 100 institucione financiare që janë të licencuara dhe mbikëqyren nga BQK

19:02 | 28 Mars 2019
Arbresh.info

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka mbajtur ligjëratë me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Para audiencës, në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar, Guvernatori Mehmeti ka folur për zhvillimet që përcollën BQK-në në 20 vjetët e funksionimit të saj.

Ai tha se BQK-ja ka luajtur dhe po luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e sistemit financiar si një prej parakushteve për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Në Kosovë kemi mbi 100 institucione financiare që janë të licencuara dhe që mbikëqyren nga ana e BQK-së. 66% e pjesëmarrjes në sektorin financiar e kanë bankat, 27% fondet pensionale, 4% IMF-të dhe IFJB-të dhe 3% e kanë kompanitë e sigurimeve. Banka Qendrore është ekskluzivisht përgjegjëse për licencimin, regjistrimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e bankave dhe institucioneve të tjera financiare. Në Ligjet përkatëse për bankat dhe sigurimet, janë të përcaktuara kërkesat për licencë për të themeluar dhe operuar më një bankë, IMF, IFJB, kompani sigurimi apo institucion tjetër financiar”, ka deklaruar Guvernatori Mehmeti.

Guvernatori Mehmeti ka folur edhe për ndikimin që ka pasur për sistemin financiar të Kosovës, anëtarësimi i BQK-së në Shoqërinë botërore për telekomunikim financiar ndërbankar (SWIFT) dhe me përdorimin e numrit të llogarive bankare ndërkombëtare (IBAN).

“BQK-ja në vitin 2002 themeloi sistemin e pagesave ndër bankare. Ky sistem shërben për shkëmbim të urdhër transfereve apo formave tjera të pagesave, me provizione shumë të ulëta. Nga data 1 korrik 2016, sistemi ekzistues i pagesave në BQK është zëvendësuar me sistemin e transferit automatik të projektuar sipas standardeve të fundit të fushës së sistemit të pagesave. Sistemi i ri nder bankar i pagesave, i quajtur Sistemi i Transferit Automatik (STA) përbëhet nga dy komponentë kryesor: komponenti i shlyerjes bruto në kohë reale (RTGS), i cili mundëson transferimin e fondeve në kohë reale, si dhe komponenti Sistem automatik i kliringut (SAK) që bënë procesimin e pagesave në grup dhe me vlerë të vogël, në tri sesione të kliringut ndër bankar në BQK”, ka thënë tutje Guvernatori Mehmeti.

Nga ana tjetër stafi akademik dhe studentët e Fakultetit Ekonomik të UP-së parashtruan pyetje të ndryshme për funksionimin e sektorit financiar në Kosovë dhe falënderuan Guvernatorin Mehmeti për ligjëratën e mbajtur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme