Një grup i profesorëve të matematikës, të cilët e ligjërojnë këtë lëndë në shkolla të mesme të ulëta në Komunën e Lipjanit, mbajnë kurse pa pagesë për nxënësit e tyre pas orarit të mësimit.
Këtë veprim ata e bëjnë për shkak të dashurisë ndaj matematikës por edhe për t’i ndihmuar nxënësit që të arrijnë më shumë. Vetë nxënësit e intervistuar, janë shprehur të kënaqur me këtë iniciativë.
Janë mësimdhënës me përvojë të gjatë në arsim. Por, krahas punës të cilën e bëjnë me kontratë në këtë sektor, një grup i arsimtarëve të matematikës në Lipjan mbajnë orë shtesë pa pagesë për nxënësit e klasave të nënta.
Udhëheqësi i Shoqatës së Matematicientëve në Lipjan, Idriz Sopa, i cili edhe ka qenë iniciator i kësaj nisme, thotë se nga 30 nxënës sa kanë qenë në vitin e kaluar, sivjet janë lajmëruar 52. Ata janë organizuar në dy grupe dhe mbajnë mësim katër ditë në javë nga ora 15 deri në orën 17.
“Nëse arrijmë ne që prej këtij grupit një ose dy të shkojmë në Fakultet të Matematikës, ta përfundojmë dhe të kthehemi si mësimdhënës të matematikës, atëherë kemi korrë sukses. Pra, kemi dhënë kontribut për tërë Lipjanin. Qëllimi është të japim kontribut që matematika në Lipjan të mësohet më mirë.”
Megjithatë, Sopa thotë se sivjet janë përkrahur edhe nga kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, i cili ua ka siguruar një klasë për ta zhvilluar mësimin, derisa u ka premtuar edhe 500 euro për organizimin e garave të matematikës, edhe pse ende nuk i kanë pranuar mjetet.
Ndër mësimdhënësit që e bën të njëjtin angazhim për nxënësit e komunës, është edhe Avdullah Krasniqi.
Ai thotë se po të kishin hapësirë më të madhe, synimi i tyre është që në kurs t’i përfshijnë nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.
“Besoj që interesimi është shumë i madh, po dihet edhe numri, është afër 52 nxënës. Ne kemi kërkuar nëpër klasë të nënta vetëm nga një nxënës por kanë ardhur edhe nga dy, edhe tre, sidomos këta që janë më afër Lipjanit, sepse kemi fshatra që janë më të largëta që kanë problem edhe me udhëtim. Besoj që vetë ardhja e tyre po duket që ka shumë interesim, sepse dihet që është pa pare së pari. Këta arsimtarët që janë të angazhuar e kanë me përkushtim këtë punë dhe unë jam i kënaqur me punën që bëhet edhe pa përtesë hiq.”
Kurse, ata që po përfitojnë më së shumti nga ky mësim shtesë, janë nxënësit.
Eneida Kongjeli thotë se po përfiton shumë nga ky mësim shtesë.
“Është më mirë edhe për mua dhe po e vërej ndryshimin se si kam filluar ta kuptoj më shumë matematikën si lëndë dhe kam arritur edhe më shumë në këtë lëndë.”
Edhe Gabriel Krasniqi është shprehur i kënaqur me mësimin plotësues.
“Desha t’i falënderojë arsimtarët që në mënyrë vullnetare na ndihmojnë neve me arrit një nivel tjetër të diturisë për matematikë. Mënyra se si na shpjegojnë arsimtarët, është shumë e mirë.”
Shtatë mësimdhënësit që po mbajnë mësim shtesë, këtë iniciativë e kanë filluar në kuadër të Shoqatës së Matematicientëve në Lipjan, të cilën pritet që shumë shpejt ta regjistrojnë edhe në komunë.
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...