Ka kaluar një muaj prej kur mjekët kirurgë në Kosovë janë në grevë. Ditën e mërkurë, grevës i janë bashkangjitur edhe ortopedët-kirurgë, si dhe kirurgët e spitalit regjional të Ferizajt.
Aktualisht në grevë janë rreth 220 kirurgë në gjithë Kosovën. Vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sipas llogaritjeve të bëra, rreth 200 operacione joemergjente në ditë, nuk po kryhen si rrjedhojë e grevës.
Ngjashëm me sektorët tjerë, si arsimi, edhe kërkesa e kirurgëve është rritja e pagave përmes miratimit të Projektligjit për pagat, i cili aktualisht është në procedurë të miratimit në Kuvendin e Kosovës.
Arbër Morina, kirurg njëherësh përfaqësues i Kolegjiumit të Kirurgëve, i tha Radios Evropa e Lirë se dita ditës po u bashkohen kirurgë nga e gjithë Kosova.
“Neve na janë bashkëngjitur Klinika e Ortopedisë dhe spitali regjional i Ferizajt. Prej 157 kirurgëve sa kemi qenë në grevë, tash jemi 220 kirurgë në grevë. Sa i përket numrit të operacioneve, normalisht që asnjë ditë nuk është numri i njëjtë, por si parim gjatë ditëve normale, në 13 klinika aq sa jemi në grevë, kryhen rreth 200 operacione në ditë dhe këto humbin në baza ditore”, tha Morina.
Në anën tjetër Xhemajl Selmani ortoped, njëherësh kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tha se nuk pajtohet me ortopedët që iu kanë bashkangjitur grevës së kirurgëve.
Ai rikujton se Federata Sindikale e Shëndetësisë ka organizuar grevë më 26 dhjetor e që kishte zgjatur 72 orë, e cila më pas është ndërprerë, duke i dhënë mundësi dialogut social me zyrtarë nga Qeveria e Kosovës.
“Me shkrim janë solidarizuar me kirurgët edhe ortopedët. Rastet emergjente janë operuar, mirëpo shërbimet tjera nuk po kryhen. Ne si organizatë sindikale jemi kundër grevës. Megjithatë askush nuk ka ndërmarrë masa kundër grevistëve deri më sot”, tha Selmani.
Në anën tjetër, Arbër Morina beson se opinioni dhe pacientët i kuptojnë kërkesat e kirurgëve grevistë.
“Rastet emergjente janë duke u operuar prej ditës së parë të grevës. Për herë të parë kemi një mirëkuptim me pacientë dhe familjarë të tyre dhe ata janë solidarizuar me ne duke ndjerë vështirësinë e punës që e kemi ne”, theksoi ai.
Por, ndryshe nga Morina mendon Besim Kodra, udhëheqës i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, i cili e cilëson grevën si të kundërligjshme dhe thotë se ajo duhet të ndërpritet. Ai thotë se pacientët nuk duhet të pësojnë për shkak të pagave të ulëta të mjekëve, derisa këtyre të fundit u bën thirrje që kërkesat e tyre t’i adresojnë nëpërmjet protestave apo dialogut social, por jo edhe me grevë.
“Çdo grevë që është jashtë organizimit sindikal është e paligjshme dhe duhet me u ndërpre. Mendoj se organizatat sindikale nuk duhet të organizojë grevë për t’i rritur pagat e tyre, pasi kjo është metoda më radikale, meqë pësojnë pacientët. Pacientët nuk duhet dëmtuar pse mjekët i kanë pagat e ulëta”, tha Kodra.
Sido që të jetë nga Drejtoria e Qendrës Klinike Universitare ndonëse nuk është ndërmarrë ndonjë masë kundër grevës, përmes postës elektronike, kjo drejtori ka kumtuar se puna në këtë institucion është duke shkuar mirë, duke e minimizuar kështu problemin e grevës e cila po zgjatë tash e një muaj.
Në përgjigjen e kësaj drejtorie thuhet se “zyra e drejtorit të përgjithshëm të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ju njofton se zyrtarisht greva e organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë ka përfunduar”.
“Ka disa kirurgë që po organizojnë grevë jashtë organizimit sindikal. Puna dhe operacionet janë kryer normalisht, përfshirë edhe rastet jo emergjente në Klinikën e Gjinekologjisë, Kirurgji Vaskulare, Oftalmologjisë, ORL, Kirurgji Maksilofaciale dhe Neurokirurgji. Ortopedia, po ashtu operacione ka pasur në disa salla tjera operative”, theksohet në këtë përgjigje me shkrim.
Ndërsa kërkesat për rritje pagash po vazhdojnë, Ligji për pagat pritet të përcaktojë koeficientin e pagës edhe për mjekët, infermierët dhe kategoritë tjera në shëndetësi. Aktualisht, për punën që kryejnë, mjekët specialistë paguhen me rreth 600 euro në muaj.
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/greves-se-kirurgeve-i-bashkohen-edhe-ortopedet-616766/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...