Për herën e katërt me radhë, ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, i cili akuzohet për konflikt interesi.
Seanca fillestare e paraparë të mbahej të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, ku Rugova pritej të deklarohet lidhur me fajësinë apo pafajësinë, ka dështuar të mbahet, për arsye se kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, gjendet në trajnim zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu, në këtë seancë ka munguar edhe i akuzuari Rugova, i cili kishte njoftuar gjykatën se gjendet në një udhëtim zyrtar.
Ndryshe, janë bërë gati tetë muaj që nga ngritja e aktakuzës për konflikt interesi ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, mirëpo, ende nuk ka arritur të mbahet një seancë e vetme, në të cilën Rugova do të deklarohet lidhur me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Ai akuzohet se i kishte dhënë tender në vlerë prej rreth 300 mijë euro, vëllait të tij, Gani Rugova.
Seanca e paraparë për 7 maj të këtij viti, kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së kryetarit Rugova, i cili përmes një parashtrese, kishte kërkuar që kjo seancë të shtyhej, me arsyetimin se ende nuk ka caktuar avokat mbrojtës.
Gjykatësi Sylë Lokaj, kishte thënë se të akuzuarit Rugova do t’i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare, nëse ai nuk e bënë një gjë të tillë
Ndërsa, në seancën e paraparë të mbahej më 21 maj, Rugova nuk kishte prezantuar në seancë, edhe pse sipas gjykatësit Lokaj, ai ishte ftuar me rregull, por mungesën e tij, nuk e kishte arsyetuar.
Gjykatësi Lokaj, kishte paralajmëruar se në rast se i pandehuri Rugova nuk përgjigjet, do të ftohet përmes urdhëresës.
Kurse, seanca e 10 shtator të këtij viti, kishte dështuar pasi mbrojtësi i Haki Rugovës, avokati Besnik Berisha nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës penale dhe me qëllim të përgatitjes së mbrojtjes, kishte kërkuar shtyrjen e seancës për një ditë tjetër.
“Shkresat e lëndës sot në këtë sallë të gjykimit prokurori i shtetit tani më dorëzoi një grumbull provash dhe kam nevojë që këto prova t’i verifikoj në mënyrë që i mbrojturi im të udhëzohet për deklarim në të ardhmen rreth fajësisë apo pa fajësisë”, kishte thënë Berisha.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.
Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.
Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.
Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.
Por, ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.
Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut./Betimi për Drejtësinë/
Cilat kompani gjermane do të largojnë mijëra punëtorë?
Burimi pyet Sarën: A ishte mërzit nëse dal sonte?
Rohde përgëzon policinë e Kosovës dhe atë gjermane për aksio...
Haradinaj: Rinia e Aleancës është e përgatitur të jetë shtyl...
Maqedonci falënderon ushtarët amerikanë për punën e tyre për...
LDK njofton se “Turneu i Ndryshimit” do të mbahe...