Prokurorja Drita Hajdari, e ka kundërshtuar vendimin e trupit gjykues, që provat e Prokurorisë Speciale në rastin “Pronto”, të konsiderohen të lexuara, përfshirë edhe bisedat e përgjuara telefonike ndërmhet protagonistëve.
Në këtë rast, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të tjerët, akuzohen për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo ka thënë se është për keqardhje një vendim i tillë nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Shashivar Hoti.
“Më mbetet të shprehi keqardhje për vendimin e juaj kjo nuk është shqyrtim i provave dhe ky rast ka specifikat e veta dhe është e papranueshme të procedohet në këtë mënyrë, në situatë ku kemi vetëm prova materiale dhe s’kemi dëshmitarë ky shqyrtim gjyqësor është paraqitur në një formalitet në konstatimin që janë lexuar provat. Provat duhet të shqyrtohen dhe do ta ceki me ankesë më vonë”, ka thënë prokurorja Hajdari.
Ndaj kësaj deklarate të prokurores, ka reaguar gjykatësi Hoti, i cili ka thënë se vendimet e trupit gjykues nuk mund të atakohen në këtë formë.
“Nuk mund te atakohen në këtë formë siç ju e thatë. Nëse keni diçka lidhur me vërejtët urdhëro, por nuk kemi nevojë ku është vendim i trupit gjykues. Kemi vendosur bashkërisht me të gjitha palët, ne nuk kemi vendosur asgjë që e dëmton një palë këtu, sepse trupi gjykues është i obliguar që të gjitha provat t’i shqyrtojë”, ka thënë ai.
Por, prokurorja Hajdari ka thënë se ajo nuk mund të deklarohet për provat që nuk janë shqyrtuar.
Ky reagim i saj ka ardhur pasi qw Gjykata Themelore në Prishtinë i ka konsideruar të lexuara të gjitha provat e propozuara nga prokuroria, në rastin e njohur si “Pronto”.
Një vendim i tillë është marr në seancën e së premtes, nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti.
Si të lexuara janë konsideruar edhe CD-të me përmbajtjen e përgjimeve.
“Pas konsultimit lidhur me kërkesat e palëve, për shkak të racionalizimit të kohës dhe duke pas për bazë faktin se kemi shumë CD për të dëgjuar dhe marrin kohë, dhe se çështja kryesore palët nuk e kontestojnë përmbatjen e tyre, të gjitha provat e propozuara nga prokurroia, duke përfshirë edhe CD të konsiderohen si të lexuara”, ka thënë gjykatësi Hoti.
Ndërsa, ka thënë se për secilën provë veç e veç palët mund të japim vërejtjet e tyre, pasi këtij vendimi.
Fillimisht, prokurorja Drita Hajdari, ka propozuar që disa urdhëresa dhe vendime të konsiderohen të lexuara, ndërsa pjesa e CD-së ku janë përgjimet të lexohen në seancë.
Por, mbrojtja ka kundërshtuar një gjë të tillë, pasi sipas tyre, këto përgjime janë dëgjuar edhe në publik dhe nuk ka nevojë të dëgjohen përsëri, pasi siç kanë thënë ata, nuk ka diçka të re.
Mirëpo, sipas prokurores Hajdari, aktakuza nuk është ngritur vetëm në bazë të asaj që është publikuar në media, por sipas saj, në CD, janë disa biseda që nuk janë dëgjuar kurrë në media, prandaj ka thënë se këto CD duhet të dëgjohen drejtpërdrejt.
Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.
Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.
Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.
Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.
Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.
Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.
Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.
Magjia e Vermoshit nën vellon e dëborës, Rama fton qytetarët...
Arbana Osmani vendos një rekord të ri në karrierën e saj
Lideri koreanoverior urdhëron “prodhim masiv” të dronëve sul...
‘Unë jam më e mirë sesa që e keni meritu’, përplasen me tone...
Nga sot gomat e dimrit të obligueshme
Universitetet shqiptare, të fundit në listat e akreditimi, s...