Gjykata në Gjilan vendosi për ish-kryetarin e komunës për tokën me qira

13:49 | 29 Nëntor 2018
V. S.

Gjykata e Gjilanit shpalli verdiktin ndaj ish kryetarit të komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq dhe kryetarit të kuvendit komunal Zharko Dejanoviq.

Ata akuzoheshin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare për faktin se nuk kanë përfillur procedurat ligjore me rastin e dhënies me qira një tokë banjës “Nëna Naile”.

Trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Agim Ademi kryetar, Zyhdi Haziri e Boban Aleksiq anëtarë, komunikuan vendimin në të cilën thuhet se për shkak të mungesës së provave të akuzuarit lirohen nga akuza.

“Nga administrimi i provave të paraqitura në këtë gjykim, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, tha kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Ademi.

Në aktakuzën e përfaqësuar nga prokurori Arben Ismajli thuhej:  Sasha Mirkoviq, si person zyrtar në cilësinë e kryetarit të komunës së Kllokotit dhe Zharko Dejanoviq në cilësinë e kryetarit të Kuvendit komunal të Kllokotit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe personin Dardan Novosella, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, sepse, pa i përfillur procedurat ligjore, kanë nxjerrë vendimin për t’ia dhënë në shfrytëzim – qera një ngastër kadastrale me sipërfaqe 22.56m katror për periudhë 10 vjeçare, Q.M.F.R, “Banja Nëna Naile” në Kllokot, pronë e Dardan Novosella, në shume prej 550 euro, për të cilën më 15.05.2013, nuk është paguar dhe inkasuar qiraja. Aktakuza thotë se në këtë mënyrë buxhetit të komunës së Kllokotit i është shkaktuar dëm material prej 7,700 euro.

Kundër këtij vendimi palët e paknaqura mund të ushtrojnë ankesë në gjykatë të Apelit në afat prej 15 dite nga pranimi i këtij vendimi./kallxo.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme