Komuna e Gjilanit ka marrë konfirmimin që Forca e Sigurisë së Kosovës, ka aprovuar kërkesën për angazhimin vullnetarë dhe sot ka filluar aksionin për largimin e deponive ilegale me mbeturina inerte, të cilat janë duke u dërguar në deponinë e mbeturinave në fshatin Kmetoc, të caktuar para disa ditësh nga Kuvendi i Komunës.
Në këtë aksion FSK dhe Komuna e Gjilanit do të vazhdojnë aksionin deri më datën 22 nëntor, për të larguar sa më shumë sasi të mbeturinave të cilat janë grumbulluar ndër vitesh në lokacione të ndryshme Gjilan.
Aksioni i sotëm ka nisur në lagjen Zabeli për ta kthyer atë zonë në një ambient të pastër për qytetarët dhe njëkohësisht për ti hapur rrugë ndërtimit të Parkut të Paqes, në atë pjesë të qytetit.
Ky aksion do të vazhdoj deri në pastrimin e plotë të qytetit nga mbeturinat dhe për këtë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka apeluar edhe angazhimin vullnetarë të kompanive gjilanase me makineri të rëndë, që aksioni “Ta pastrojmë Kosovën dhe Gjilanin” të jetë i suksesshëm.
Komuna e Gjilanit apelon te të gjithë qytetarët dhe te kompanitë e ndryshme se tashmë ekziston deponia për mbeturinat inerte dhe të njejtën mund ta shfrytëzojnë të gjithë pa dallim, në mënyrë që bashkërisht ta ruajmë ambientin dhe të kujdesen për një jetë më të mirë për qytetarët e Gjilanit në përgjithësi.