Gjermania nuk ndryshon politikën për Ballkanin dhe Kosovën

13:50 | 4 Nëntor 2018
V. S.

Tërheqja e Angela Merkelit nga politika do të thotë edhe largim i lideres jo zyrtare të BE-së, ajo e cila zgjidhte kontradiktat e dilemat në Bruksel. Por a mund të ndryshojë politika e BE për Ballkanin Perëndimor?

Jo vetëm për BE, edhe për shumë politikanë në vendet e Ballkanit Perëndimor kancelarja, Angela Merkel ishte lidere dhe mentore për politikat e tyre dhe përkrahëse e madhe në procesin e integrimeve në BE. Që nga deklarimi i kancelares Merkel, se ajo nuk do të kandidojë përsëri për postin e kryetares së partisë në CDU, në Evropë u krijua një gjendje pothuajse e jashtëzakonshme dhe pasigurie. Kjo pasiguri u reflektua në të gjithë BE-në por edhe në Ballkanin Perëndimor.

Zyrtarë, analistë dhe qytetarë nga rajoni në ditët e fundit diskutojnë për pasojat e mundshme, pas tërheqjes së figurës, e cila ka mbështetur personalisht dhe angazhohej për integrimin e Ballkanin Perëndimor në BE. “Kancelarja Angela Merkel nuk është larguar nga pozita e kancelares, por vetëm ka lajmëruar se do të largohet nga posti i kryetares së CDU-së. Kjo do të thotë se për aq kohë sa është kancelare, unë nuk pres që të ketë ndonjë ndryshim të madh në politikën gjermane drejt Europës Juglindore dhe politikës së BE për zgjerimin “, thotë për DW drejtori i zyrës së Brukselit të Institutit Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe Sigurisë Dushan Reljiq.

Analistët nga Brukseli që merren me çështjen e zgjerimit në përgjithësi dhe politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, pajtohen me këtë vlerësim, se ky veprim i kancelares gjermane nuk do të ndryshojë politikën e Gjermanisë për integrimet e rajonit. “Ekziston një vazhdimësi afatgjatë në politikën gjermane drejt Europës Juglindore, e cila është arritur kryesisht përmes politikës së zgjerimit në Bruksel dhe përmes NATO-s. Është e vetmja politikë që përfaqësohet në kontekst ndërkombëtar dhe nuk mund të ketë ndryshime të shpejta në këtë drejtim”, shpjegon Reljiq për DW.

Nga Fondi Gjerman Marshall thuhet se politika e Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor është e lidhur me stabilitetin dhe ekonominë dhe se ky interes “nuk do të ndryshojë pavarësisht nga lidershipi në Berlin”. Gjermania e udhëhequr nga Angela Merkel filloi procesin dhe më pas planin “Berlin Plus”, me qëllim për të forcuar rajonin ekonomikisht duke krijuar mundësi bashkëpunimi midis shteteve të Ballkanit dhe përforcimin e lidhjeve me BE-në. “Angela Merkel ka udhëhequr personalisht politikën e zgjerimit të BE-së, në kohën, kur Komisioni Evropian lëshoi dorë nga udhëheqja e këtij procesi”, shpjegon Rosa Balfour nga Fondi Gjerman Marshall.

Por tëheqja e Merkelit nuk është problemi kryesor i Ballkanit…

Janë faktorë të tjerë ata që mund sjellin një ngadalësim të ri të procesit të zgjerimit. Sfidat me qeveritë e reja të vendeve anëtare të BE-së dhe dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian do të ngadalësojnë proceset e zgjerimit. Një faktor tjetër kyç janë zgjedhjet për Komisionin e ri të BE-së, të cilat do mbahen vitin e ardhshëm. “Duhet të theksohet se zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm për Parlamentin Evropian e për formimin e Komisionit të ri të BE-së, si edhe emërimin e Komisionerit të ri për politikën e zgjerimit, janë procese që mund të çojnë në një lloj ngadalësimi dhe ngërçi të proceseve politike që kanë të bëjnë me Brukselin dhe Komisionin Evropian.”, thotë Dushan Reljiq, drejtor i zyrës së Brukselit të Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Ai shton se këto janë procese për të cilët mund të flitet në këtë moment, dhe se do të ishte ndoshta edhe e papërgjegjshme për të parashikuar, se çfarë mund të ndodhë deri në vitin 2021, kur Angela Merkel do të mbyllë mandatin e kancelares.

Çfarë mundë të presin vendet e Ballkanit Perëndimor nga Berlini, ndërkohë që Angela Merkel është kancelare?

Edhe pse mandati i Angela Merkel në krye të Gjermanisë është deri në vitin 2021, analistët tashmë kanë filluar studimin e analizat e të gjitha partive të mëdha gjermane dhe biografitë e pasuesve të mundshëm të Merkelit dhe politikat e tyre ndaj zgjerimit të BE-së. Dushan Reljiq për DW megjithatë këmbëngul se tani seriozisht mund të flasim vetëm për atë që është “e qartë para nesh”, në lidhje me politikën gjermane ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Pika e parë është se Merkel nuk beson në pranimin e mundshëm të Serbisë dhe Malit të Zi në BE, në vitin 2025. Integrimet e vendeve do të vendosen sipas punës në vendet e tyre, por jo me një datë të caktuar nga Brukseli “, thotë Reljiq. Pika e dytë është pozicioni i Berlinit rreth tentativave të Aleksandar Vuçiqit dhe Hashim Thaçit. Kancelarja gjermane ka bërë të ditur se nuk është e prirur që të mbështesë ndryshim të kufijve në Ballkan. “Tani kjo pyetje qëndron në mes të aleatëve perëndimorë, sipas mendimit tim Shtetet e Bashkuara dhe disa partnerë tjerë perëndimorë, kanë një tendencë për t’i shqyrtuar këto ide më hapur sesa në Berlin”, thekson Reljiq. Mbi spekulimet rreth organizimit të një takimi të mundshëm të Presidentit të Serbisë dhe të Kosovës me drejtuesit e BE-së në Paris më 11 nëntor, sipas Dushan Reljiq nuk do të ketë “as kohë e as hapësirë” për një diskutim mbi situatën në Evropën Juglindore./DW/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme