Gjenerali holandez i KFOR-it rrëfen krimet e serbëve në Kosovë

23:07 | 25 Qershor 2019
A. B.

Gjeneral holandez i KFOR-it, Ton Van Loon, ka treguar se si e pa qytetin ku duhej të stacionohej, Rahovecin, 20 vjet më parë.

Ton Van Loon thotë se fillimisht kur janë vendosur kanë tentuar të vendosin kontakt me popullatën e atyshme dhe të kuptonin se çka realisht po ndodhte.

“Nuk kishe polici, faktikisht ne ishim policia. U siguruam që njerëzit të na tregonin se çfarë kishte ndodhur. U munduam ta kthenim situatën ne normalitete, të mos kishte më dhunë”, tha ai për Klan Kosovën.

Gjenerali holandez gjithashtu kujton disa detaje se si ishte Rahoveci në qershor të 1999-ës, kur hyri këtu, si pjesë e forcave të NATO-s.

“Gjetëm spitalin në Rahovec që ishte jashtë funksionit. Vendosëm disa mjekë aty që ta funksionalizonim”.

“Çka mund të besh në kësi situate është t’i ndash palët, t’ju qëndrosh në mes dhe të mos i lësh të përleshen”.

Ai gjithashtu kujton edhe pjesën më të vështirë të qëndrimit të tij këtu.

“Gjëja më e vështirë ishte të merresh me vrasjet masive dhe me varrezat masive. 20 vjet më parë u përballa për herë të parë me një vend ku kishte ndodhur një masakër. Ky nivel i mizorisë, i sjelljes çnjerëzore është gjëja më e vështirë për t’u përballur”.

“Kjo neveri për neve ushtarëve ishte më e vështira që jemi përballur”.

Dy dekada më vonë Ton Van Loon u shpreh optimist për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë.

“Duhet të kesh optimizëm. Ka indikacione që do të ketë paqe midis Kosovës dhe Serbisë. Kështu që mendoj se ka hapa në drejtimin e duhur. A do të ndodhë një gjë e tillë brenda natës? Jo. Diçka e tillë kërkon kohë, por gjithmonë duhet të shohim para”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme