Sipas deputetes së LDK-së Besa Gaxherri, PDK-ja e kishte larguar ish-kryeministrin Isa Mustafa “për mungesë të vendimeve të mëdha”, ndërsa tash në koalicionin me AAK-në e Nismën po marrin vendime të dëmshme për vendin.
Në Interaktiv të KTV-së, Gaxherri ka thënë se qeverisja aktuale po mbijeton vetëm për shkak të interesave të partnerëve të koalicionit.
“Këta mund ta shtyjnë këtë qeveri dhe e kanë shtyrë mjaft duke mos pas numra. Kjo është luftë e muskujve, kapjes së njëri-tjetrit dhe interesave të njëri-tjetrit andaj ka shkuar deri këtu. Mund të themi se kjo lloj qeverisje është përveç skandaloze dhe e dëmshme, edhe e papranueshme. Duhet të kemi zgjedhje sa më shpejtë e t’u japim përgjegjësi qytetarëve. Kanë thënë se Mustafa s’po merr vendime të mëdha. U mor më pas vendimi i njëjtë që e kundërshtoi vetë (demarkacioni). Vendimet e mëdha që po merren janë shumë të dëmshme”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se qeveria aktuale ka marrë hapa shqetësues edhe në Telekom me punësimet partiake. Ka thënë se kjo ndërmarrje qysh nga ditët e para të pasluftës ka qenë cak i grupeve të caktuara për keqpërdorime.
“Në vend se kjo qeveri të merret me shumë shkelje që kanë ndodh në Telekom, kësaj i jepet edhe shkelmi i fundit. S’di si do të dalim nga kjo situatë. Sa është vullneti i Haradinajt dhe qeverisë për dalje nga situata s’vlen ta komentojmë. Kuvendi e ka formuar një komision hetimor. Të shohim çfarë raporti do të sjellin por jemi dëshmitarë që Kuvendi s’ka fuqi vendimmarrëse edhe pse ka obligim dhe përgjegjësi për t’i monitoruar proceset. Besoj se nëse komisioni na ofron dëshmi të fuqishme ato të paktën duhet t’i ofrohen prokurorisë sepse organet e drejtësisë s’po kryejnë punën si duhet. Ta qesim prokurorinë para aktit të kryer e të merret me njerëzit që e kanë shkatërruar pronën publike”, ka shtuar ajo.
Duke folur për zgjedhjet në LDK, Gaxherri ka thënë se po mbizotëron situatë e qetë e pa presion. Sipas saj, LDK-ja ka mësuar nga gabimet e mëhershme dhe më s’do të lejojë përsëritje “sikur të Kuvendit të vitit 2006”. Ajo ka komentuar edhe mundësinë e kandidimit të Lutfi Hazirit për të parin e LDK-së, për çka ka thënë se nuk i mungon përvoja. Edhe për Vjosa Osmanin ka thënë se do të ishte mirë që të fitonte një grua, por ka shtuar se “në Kosovë mund të jesh presidente, kryeministre e ministre, por jo kryetare e partisë, sepse s’ka akoma pjekje të mentalitetit”.
Sa i përket mundësisë që Fatmir Sejdiu të kthehet në pozitën e të parit në LDK, Gaxherri ka thënë se ai nuk duhet të garojë. “Sipas mendimit tim, ai s’ka qenë i aftë të menaxhojë vendin e as më vonë situatën. Por s’kemi të drejtë të themi se ai s’ka të drejtë të kandidojë. Por mendoj se ai nuk duhet të fitojë e as të kandidojë. Kam respekt për kontributin e tij në LDK, por konsideroj se është sprovuar dhe e ka pas momentin kur e ka treguar veten. Ai ka fituar për 17 vota karshi zotit Daci dhe i kanë shtri dorën njëri-tjetrit e i mbeti përgjegjësia të menaxhojë edhe pjesën e Dacit. Megjithatë s’e ka dëshmuar menaxhimin e mirë”, ka vlerësuar Gaxherri.
Gaxherri ka folur edhe për dy seancat e sotme për mbajtjen e orëve të mësimit pas humbjeve për shkak të grevës dhe vendimit për ndalimin e lojërave të fatit. Për orët e humbura ka thënë se ishte seancë vetëm për “garë brenda koalicionit qeverisës për të treguar se kush vendos, ministri apo Veseli”.
Sa i përket lojërave të fatit, ajo ka thënë se këto lojëra e kanë dëmtuar shumë vendin dhe se “s’ka familje që s’njeh dikënd që ka pësuar shumë nga to”. Ka thënë se sikur të funksiononte shteti si duhej ato mund të kishin funksionuar në rregull./Koha.net/
Koalicionit AAK-Nisma i bashkohet ‘Lista Ideali’
Driloni flet për largimin e Edit dhe miqësinë me të
Kryebashkiakja e Durrësit në pesëvjetorin e tërmetit: Rindër...
Kumbaro ndan artikullin e “El Periódico” për Shqipërinë: Jo ...
Rita Ora feston sot ditëlindjen e 34-të
Zeqiri: Një shoqëri e mire është kur të gjithë kanë qasje të...