Google ADS

Gashi: KQZ-ja ka mundur të mblidhet e të kryejë detyrat edhe me anëtarët ekzistues

00:19 | 28 Mars 2019
Trina Galanxhi

Ilir Gashi, kandidat i PDK-së për t’u riemëruar anëtar i KQZ-së nga ky subjekt, pret që nesër të funksionalizohet ky institucion. Presidenti Hashtim Thaçi ka ftuar që të japin betimin, të enjten në orën 09:00 të mëngjesit anëtarët e rinj të propozuar nga subjektet politike.

“Shpresoj që KQZ-ja tashmë të jetë e gatshme për të kryer detyrat e veta që dalin nga Kushtetuta”, ka thënë Gashi, që megjithatë ka bindjen se KQZ-ja ka mundur të kryejë detyrat edhe me përbërjen ekzistuese.

“Komisioni ka mundur të mblidhet dhe të kryejë detyrat e veta me gjithë vonesat për emërimin e anëtarëve të rinj. Presidenti asnjëherë nuk ka ndërprerë mandatin tonë. Me një situatë të ngjashme ne kemi mbajtur zgjedhjet e vitit 2010, deri në vitin 2014, kur kemi marrë mandat të ri nga presidentja Jahjaga”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se KQZ-ja, si organ kushtetues, ka vazhdimësi dhe deri në një mandat të ri ai nuk guxon ta ndërpresë punën.

“Unë në vazhdimësi kam kërkuar që të mblidhemi dhe të kryejmë detyrat kushtetuese. Por kjo ka ardhur si pasojë e një mjegullie që lënda ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese, dhe disa parti politike nuk kanë pasur vullnet që të mblidhen sepse nuk u ka konvenuar”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se sa i përket subjektit të tij politik, PDK-së, është ditur se në secilin variant që do të vendoste presidenti, PDK-ja do të kishte një anëtar në KQZ.

“Kështu që për ne si parti ka qenë e nevojshme vetëm që të funksionalizohet institucioni”, ka thënë ai.

Sa i përket paralajmërimit të AAK-së, Nismës e AKR-së, se do ta çojnë në Kushtetuese thirrjen e Thaçit, me pretendimin se edhe atyre u takon nga një anëtar në KQZ, Gashi ka thënë se ndjekja e rrugëve ligjore, përmes interpretimit të Gjykatës Kushtetuese është e shëndetshme. Por kjo sipas tij, nuk e bllokon punën e KQZ-së, që pritet të ketë kuorum, meqë anëtarët e propozuar nga LDK-ja, Sami Hamiti dhe Florian Dushi, si dhe nga Vetëvendosje, Nazlie Balaj dhe Adnan Rrustemi, pritet të marrin pjesë në betimin te presidenti. Pritet që edhe 4 anëtarët nga minoritetet të jenë prezentë.

“Ne do të jemi aty dhe do të kryejmë detyrat tona”, ka thënë Gashi.

“Numrin e anëtarëve e përcakton Kushtetuta e Kosovës, dhe mendoj se secilin vendim që e ka marrë presidenti është i bazuar edhe në një interpretim nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka lënë në diskrecion të presidentit që të interpretojë këtë çështje. Besoj që presidenti ka vendosur drejt”, ka thënë Gashi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme