Fuzionohen paralelet, prindërit e nxënësve paralajmërojnë protestë para Qeverisë

23:41 | 9 Tetor 2018
V. S.

Prindërit e nxënësve të shkollës fillore “Shotë Galica” në Abri të Epërme- lagja e Muliqve të Drenasit, do protestojnë të enjten para ndërtesës së Qeverisë, nga ora 11:00.

Arsyeja e kësaj proteste sipas tyre është për shkak se fëmijët e tyre nuk po vijojnë mësimin.

Në këtë shkollë dhe dy shkolla tjera, në fshatin Godancë dhe Gjorgjicë në komunën e Drenasit nuk kishte filluar mësimi me fillimin e vitit të ri shkollor për shkak të fuzionimit të paraleleve.

Por tani, kjo komunë ka njoftuar se mësimi ka filluar në dy nga këto shkolla.

Në një prononcim për Indeksonline, drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, Tafil Halilaj ka thënë se mësimi ka filluar në të gjitha shkollat, përveç në SHFMU ,,Shotë Galica”, ndonëse disa nxënës kanë filluar mësimin edhe në këtë shkollë.

“Mësimi ka filluar në të gjitha shkollat në komunën e Drenasit, përveç në SHFMU ,,Shotë Galica në Abri të Epërme- lagja e Muliqve, ndonëse disa nxënës kanë filluar mësimin edhe në këtë shkollë. Arsye e mos vijimit të mësimit është fuzionimi i paraleleve në këtë shkollë”, thuhet në përgjigjen e Halilajt.

Ndërsa, sa u përket protestave të prindërve ai thotë se i përkrahin çdo protestë demokratike, megjithëse këtë e cilësojnë si të paarsyeshme.

“Protestat demokratike ne i mbështesim edhe pse janë të paarsyeshme, sepse transportimi i nxënësve do të behet deri në shkollën amë”, ka shtuar ai.

Ndryshe, shkolla fillore “Shotë Galica” ishte ndërtuar para 14 viteve për t’ua lehtësuar fëmijëve të fshatit Abri e Epërme ecjet e gjata për të shkuar në mësim.

Por këtë e kishin kundërshtuar që nga fillimi prindërit të cilët kishin paralajmëruar se do të ndalnin fëmijët nga shkolla, pasi atyre i duhej të udhëtonin deri në 5 kilometra për të shkuar në një shkollë tjetër./Indeksonline/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme