Google ADS

Frika e Speciales – fshihet identiteti i prokurorëve të Hagës

12:41 | 25 Korrik 2019
V. S.

Aktivizimi i Gjykatës Speciale me ftesat për të dyshuarit e dëshmitarët të cilët në të kaluarën kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka turbulluar skenën politike në vend.

Si rrjedhojë e ftesës së ardhur në cilësinë e të dyshuarit, Kosova ka mbetur pa kryeministër pas dorëheqjes së parevokueshme të Ramush Haradinajt, shkruan lajmi.net.

E vetë Haradinaj është intervistuar nga prokurorët e Hagës gjatë ditës së djeshme për rreth një orë, por që është mbrojtur në heshtje.

Emrat e prokurorëve që intervistuan Haradinajn po mbahen të fshehur për publikun.

Madje, nuk dihet as numri total i prokurorëve special të Hagës, që do të hetojnë e ndjekin penalisht krimet e supozuara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Për këtë çështje nuk është përgjigjur as zyra e Prokurorit të Specializuar, në kërkesën e bërë nga lajmi.net.

Nga zyra për informim e Prokurorisë së Specializuar kanë thënë për lajmi.net se ata nuk mund të ofrojnë informacione për emrat, numrin ose të dhëna tjera për stafin e Prokurorisë.

“Jack Smith është kryeprokuror i Speciales. Ne nuk ofrojmë informacione të tjera për stafin”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Dhomave të Specializuara.

Një gjë e tillë po ndodhë edhe pse gjykimet që do të mbahen në të ardhmen në Hagë do të jenë të hapura për publikun.

Këtë e konfirmon edhe avokati i akredituar nga Specialja, Kadri Osaj.

Për lajmi.net ai thotë se çështjet penale janë gjithmonë të hapura, përjashtimisht kur kemi të bëjmë me mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve ose me çështjet e moralit.

“Çështjet penale gjithmonë janë publike dhe ka të drejtë secili qytetar të marrë pjesë. Vetëm në raste kur kemi të bëjmë më mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve, në qoftë se nuk ka ndonjë mekanizëm për mbrojtjen e tyre, ndodh që e përjashton publikun. Ose nëse ka të bëjë me çështje të moralit që s’bën për publikun”, thotë Osaj.

Sipas Osajt, kjo çështje është e rregulluar edhe me norma ndërkombëtare.

Avokati i akredituar nga Specialja tutje thotë se në këtë fazë, emrat e prokurorëve nuk janë bërë të ditur as për vetë mbrojtësit.

“Në këtë fazë hetimore nuk i bëjnë publike këta emra as për avokatët e as për publikun. Edhe ashtu nuk ka pasur transparencë në këtë fazë hetimore”, thotë ai.

Madje sipas tij  kjo ndodh edhe për shkakun se për një çështje të caktuar një prokurori mund të i skadojë mandati, dhe në një situatë të tillë, një tjetër prokuror ta marrë atë në dorë.

E ndryshe po ndodh me emrat e numrin e Gjykatësve të Speciales.

Lajmi.net ka publikuar  emrat e 19 Gjykatësve të Hagës, të cilët janë nga shtetet e ndryshme të Evropës dhe që kanë një bagazh të gjerë profesional prapa vetes.

Avokati Osaj në fund paralajmëron se menjëherë pas përfundimit të intervistimit të dyshuarve, mund të ketë ngritje të aktakuzave, ngase sipas tij provat veç janë administruar.

“Kjo është fazë hetimore, dhe sipas mendimit tonë provat material janë administruar dhe po shkohet direkt me intervistimin e të dyshuarve eventual. Pra mund të ndodh që menjëherë pas kësaj të ngritët aktakuza”, thotë ai.

Specialja, përveç Haradinajt këtë javë dërgoi ftesë edhe për ish-zëdhënësin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqin.

Më herët, nga figurat e larta të luftës, janë ftuar edhe Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa e Sami Lushtaku. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme