Fondi i Mirëbesimit i cili u krijua në vitin 2013 për zhvillimin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, ka arritur vlerën mbi 15 milionë euro.
Nga ky fond janë aprovuar 29 projekte të cilat do të zhvillohen në komunat si Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut.
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini në një përgjigje për portalin arbresh.info ka treguar për këto projekte.
“Totali i mjeteve të transferuara nga viti 2013 deri sot, nga llogaria e Buxhetit të Kosovës, në llogarinë për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit është 15,527,608.93 Euro. Deri më tani janë aprovuar gjithsej 29 projekte. Projektet fillimisht i propozojnë Komunat e lartë cekura në Bordin e Fondit Zhvillimor, e më pas shqyrtohen, analizohen dhe aprovohen projektet nga ana e Bordit”, ka thënë ai.
Ndër të tjera Shahini ka përmendur edhe projektet të cilat do të zhvillohen në këto komuna.
“Janë disa projektet për vitin 2015-2018. Në Leposaviq janë 5 projektet si: pajisja e kopshtit të fëmijëve, mbështetje për të filluar biznesin, NVM dhe zhvillimi i bujqësisë, ndërtimi dhe rehabilitimi i objekteve për qëllime kulturore dhe sportive, ndërtimi i dhe riparimi i rrugëve lokale të pa kategorizuara në komunën e Leposaviqit, mbështetje për kultivimin e mjedrës. Në Zubin Potok janë 8 projekte si: ndërtimi i pishinave, ndërtimi i shtigjeve të atletikës, rehabilitimi i rrugëve lokale, zhvillimi Ekonomik Lokal, blerje e pajisjeve mjekësore për Qendrën Shëndetësore , kompleksi turistik Via Ferrata , faza 2, qendra për sporte detare dhe ujore- Liqeni i Gazivodes, ndërtimi i pishinave, faza 2. Në Zveçan janë 11 projekte si: shpronësimi i tokave për qasje në rrugën nga Zveçani në deponi, mbështetje e OSHC ( organizatat e shoqërive civile) në komunën e Zveçanit përmes aktiviteteve sportive dhe kulturore, mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ( NVM ), mbështetja për fermat e vogla për zhvillimin e qëndrueshëm te agrikulturës, ndërtimi i qendrës rinore dhe shpronësimi i tokës, pastrimi i deponive ilegale industriale “HENDEKU”, zhvillimi Urban i Zonës së re banuese-Korilje, riparimi dhe zgjerimi i rrjetit të kanalizimit, objektet për furnizim me energji për Deponin regjionale Savina Stena, rehabilitimi i rrugës Karagjorgjev, ndërtimi i rezervarit të ujit të pijshëm. Në Mitrovicën Veriore janë 5 projekte si: shpronësimi për ndërtim të ndërtesës së Komunës Mitrovica e Veriut, ndërtimi i një ndërtese për një brigadë zjarrfikëse, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërtimi i palestrës sportive në Mitrovicën Veriore, instituti regjional për kulturë “, ka theksuar ai.
Edhe në përgjigjen e zyrës së BE-së dërguar portalit konfirmohet vlerë e njëjtë e mbledhjes së fondeve.
“Në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit mbi doganat, të hyrat që grumbullohen nga dy pikat kufitare veriore Jarinje dhe Bërnjak nga mallrat e importuara nga bizneset e regjistruara në veri të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, janë caktuar për Fondin. Që nga viti 2014 kur Fondi ka filluar deri në kohën e tanishme, është mbledhur gjithsej afër 15 milionë euro”, thuhet në përgjigje.
Ndërsa sipas Zyrës së BE-së që nga ajo kohë deri më tani janë miratuar 25 projekte.
“Deri më sot, Bordi Drejtues për Fondin ka miratuar 25 projekte. Fondi i Zhvillimit ka dëshmuar dhe vazhdon të provojë dobinë e tij në sjelljen e përfitimeve në komunat veriore në pajtim me Ligjin e Kosovës”, thekson zyra e BE-së.
Behxhet Shala nga KMDLNJ, në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se ai fond nuk ka qenë fare i nevojshëm dhe se është shfrytëzuar nga strukturat paralele.
“Nuk ka qenë e domosdoshme fare të formohet asnjë fond, as për veri as për jug, as për lindje as për perëndim. Për mendimin tim me ato fonde janë financuar strukturat paralele të Serbisë që e kanë kundërshtuar shtetin e Kosovës dhe kanë punuar kundër shtetit të Kosovës. Për këtë arsye ata nuk kanë ndikuar në zhvillimin apo përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët serb dhe jo serb që jetojnë në veri, por ato para i kanë ndarë mes vete dhe kanë bërë dallavere, ku askush nuk ka pasur guxim të kërkoj llogari nga ata. Do të thotë ata llogariten si shpërdorues të atyre parave, mirëpo duhet të marrin përgjegjësi edhe Qeveritë para kësaj të cilat e kanë lejuar shpërdorimin e atij Fondi dhe të cilët kanë deklaruar që ai Fond do të përmirësoj mirëqenien e të gjithë qytetarëve të veriut pavarësisht përkatësisë etnike”, theksoi ai.
Kujtojmë se ky fond ishte krijuar në bazë të marrëveshjes së përkohshme për doganat, të arritur në dialogun Kosovë – Serbi, në vitin 2013.Me këtë marrëveshje ishte jetësuar në praktikë që paratë e mbledhura përmes pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të destinohen në Fondin për zhvillimin e komunës së Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
Qëllimi i krijimit të Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit ishte ngritja e cilësisë së jetës, në mënyrë që zhvillimi ekonomik në këto komuna të barazohet me nivelin e komunave tjera në Kosovë. Po ashtu, një nga qëllimet ishte edhe integrimi i veriut në rrjedhat sociale dhe ekonomike të vendit. /V.Berisha/arbresh.info/
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...