Familja Knushi fal gjakun e djalit në praninë e Haradinajt

17:23 | 30 Janar 2019
Arbresh.info

Në shënimin e 22 vjetorit të rënies së heronjve të kombit Zahir Pajazitit, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu një familje ka vendosur që të fal gjakun e djalit.

Familja e Bashkim Knushit sot në Junik ka falur gjakun e djalit familjes së Ahmet Shehu duke i dhënë fund armiqësisë.

Të dy familjet kanë shtrënguar duart në praninë e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili me këtë rast ka thënë se kjo është vepra më shqiptare që mund të bëhet sot.

“Sot më të nderuarit janë familjet e heronjve Pajaziti, Zejnullahu dhe Hoxha se në nderim të flijimit për atdhe të heronjve pra bashkëkombësi ynë, një shqiptar i mirë Bashkimi e ka fal gjakun e djalit të vet familjes Ahmeti. Qofshi të nderuar, kjo është vepra më shqiptare që mund ta bëjmë sot”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Junikut Agron Kuçi, ka thënë se familja Knushi fal gjakun e djalit në emër të dëshmorëve dhe martirëve të kombit, por edhe në emër të kryeministrit Haradinaj.

“Bashkim Knushi një bashkëqytetar i joni bashkë me djem, vëllezër dhe familjen e gjerë Knushi fal gjakun e djalit të tij Ardianit familjes së Ahmet Shehut, në emër të dëshmorëve, martirëve, heronjve të kombit, në emër të bashkëqytetarëve të Junikut, në emër të familjes Haradinaj dhe në emër të vet kryeministrit Haradinaj”, tha ai.

Falja e gjakut ka ndodhur pas përfundimit të akademisë përkujtimore që është mbajtur sot në Junik me rastin e shënimit të 22 vjetorit të rënies së heronjve Zahir Pajazitit, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme