Kuvendi i Kosovës pritet që të premten të votojë projektligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri.
Dhe për këtë ngjarje tanimë janë duke raportuar edhe mediat prestigjioze evropiane dhe botërore.
Ndër to, përcjell Telegrafi, është edhe rrjeti televiziv evropian, Euronews, sipas të cilit lëvizjet nga Kosova për të ndërtuar një ushtri kanë zemëruar Serbinë fqinjë, e cila ka hedhur idenë e ndërhyrjes ushtarake.
Siç kujton mediumi në fjalë, në një votim të caktuar për të premten, parlamenti 120-vendësh i Kosovës pritet të miratojë me lehtësi projekt-ligjin e paraqitur nga Qeveria për të kthyer njësinë ekzistuese prej 4,000 vetësh – Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) – në një ushtri të zgjeruar dhe të armatosur lehtë.
Në këtë drejtim, shkruan ky medium, zyrtarët në Prishtinë kanë mohuar pretendimet nga Serbia se qëllimi kryesor i ushtrisë së propozuar do të ishte pastrimi etnik i veriut të Kosovës me serbë.
“Zyrtarët kosovarë thanë se ushtria e re do të jetë në thelb një forcë sigurie që merret me reagimin ndaj krizave dhe operacionet e mbrojtjes civile – në thelb ajo që aktualisht bën FSK-ja. Ata thonë se detyrat kryesore të saj do të ishin operacionet e kërkimit dhe shpëtimit, asgjësimin e mjeteve shpërthyese, trajtimin e zjarreve dhe materialeve të rrezikshme”, shkruan Euronews.
Ky medium ka cituar nënkolonelin Sylejman Cakaj, një nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës me Serbinë në vitin 1999 – tani një komandant i batalionit në FSK, i ngarkuar me trajnimin e ushtarëve i cili ka thënë se formimi i një ushtrie të re kosovare nuk ka për qëllim të dëmtojë askënd, sidomos serbët në Kosovë, por më tepër t’i shërbejë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të bashkohet me misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.
Cakaj ka bërë të ditur se rreth 4% e FSK-së përbëhen nga serbët etnikë, të cilët gjithashtu do të transferoheshin në Ushtrinë e re të Kosovës.
Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, ushtria e re do të ketë një buxhet vjetor prej 98 milionë eurosh, me 5,000 trupa të armatosur me armë të lehta të këmbësorisë dhe 3,000 rezervistë.
Mediumi prestigjioz kujton se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999 specifikon se Kosova është nën autoritetin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me sigurinë e siguruar nga paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO.
Ndërsa siç thuhet tutje, NATO dhe SHBA kanë ndihmuar në trajnimin e FSK-së aktuale.
“SHBA mbështet formimin e ushtrisë së re, duke filluar me një ndryshim në kushtetutën e vendit, e cila aktualisht nuk bën referencë për një ushtri. Megjithatë, kjo do të kërkonte mbështetje nga ligjvënësit etnik serb, të cilët kundërshtojnë fuqimisht masën”.
Euronews nuk ka lënë pa përmendur edhe zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Tensionet u rritën pasi Kosova vendosi një taksë 100% mbi importet serbe muajin e kaluar – në hakmarrje të dukshme pasi lobimi serb pengoi Kosovën për t’u bashkuar me organizatën ndërkombëtare të policisë Interpol. Zyrtarët serbë thonë se tarifat janë një embargo virtuale e projektuar për të detyruar serbët etnikë të mbetur të Kosovës, konsumatorët kryesorë të mallrave të prekura, që të largohen nga vendi. BE, SHBA dhe Rusia i kanë kërkuar të gjithë Kosovës të heqë tarifat”.
Gjithsesi, sipas Euronews, megjithëse Serbia mund të ketë “ashpërsuar gjuhën”, nuk ka gjasa të ndërmarrë veprime ushtarake, të cilat do të shkaktonin një konfrontim të drejtpërdrejtë me rreth 4,600 paqeruajtës të NATO-s, duke përfshirë trupat amerikane, të vendosur në Kosovë që nga viti 1999 – gjithashtu, me siguri do të nxisnin sanksione perëndimore.
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...