Fundi i muajit nëntor pritet të jetë vendimtar për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Krahas euforisë, ekziston edhe skepticizmi i mundësisë për t’u bërë pjesë kësaj organizate të sigurisë.
Por, sipas ekspertëve të sigurisë lobimi i Serbisë është krejt i parëndësishëm krahas interesit të vendeve anëtare që të shtrijnë sigurinë edhe në Kosovë kur vije fjala tek transportimi i drogës, i armëve, qenieve njerëzore dhe luftimi i terrorizmit.
Deputeti i NISMA Socialdemokrate, Haxhi Shala, njëherit edhe kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thotë se Kosova i ka kryer të gjitha obligimet dhe nuk ka pengsë që mos të anëtarësohet në Interpol.
“Nuk varet krejt prej neve po ajo çka është varë ne kemi punuar mjaft shumë për lobim dhe anëtarësim të Kosovës në INTERPOL. Nuk është, dhe nuk e besoj që tërheqja e njohjeve të ndikojë te anëtarësimi i Kosovës, sepse edhe shtetet anëtare janë të interesuara që Kosova të jetë pjesë e INTERPOL-it, besoj që më 20 ose 21 nëntor kjo çështje të kryhet,” deklaroi Shala për arbresh.info.
Sipas shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ani pse Kosova i ka kryer të gjitha obligimit nuk përjashtohet mundësia qe ndonjë shtet mos ta votoj anëtarësimin e Kosovës dhe si rrjedhoje të dështojë ky proces.
“Kosova ka bërë një punë të madhe që ky proces të ketë sukses, mu m’pengon në Kosovë një fenomen që nuk e di si ta eliminojmë. Na mendojmë se vetë optimizmi mund të ketë sukses dhe t’i fshehim problemet që i kemi brenda. Kjo nuk është qasje e duhur se fshehja e problemeve nuk kontribuon. Krejt qa kemi tash është një lloj optimizmi. Unë kam dëshirë që Kosova të jetë pjesë e INTERPOL-it, por duhet të jemi të përgatitur se ndoshta nuk i arrij votat e mjaftueshme,” shtoi Konjufca për arbresh.info.
Për ekspertin e sigurisë, Avni Islami, anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL më shumë do t’i konvenonte shteteve të cilat janë anëtare të INTERPOL-it, sesa vetë Kosovës.
Ai thotë se nuk ka asnjë arsye që të refuzohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim.
“Pavarësisht politikave të cilat është duke i zhvillu Qeveria e Kosovës në aspektin praktik në INTERPOL, nuk do të këtë komplikime për arsye sepse INTERPOL-i ka më shumë leverdi që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL, sesa Kosova. Për arsye se mos anëtarësimi i Policisë do t’i shkaktonte dëm shteteve të INTERPOL-it, sepse nëse Kosova nuk do të jetë në INTERPOL gjasat që kriminelet e ndryshëm të dyshuar mund të rrinë shlirë në Kosovë dhe nuk do të kenë problem,” është shprehur Islami për arbresh.info.
Arsyeja më e fortë që Kosova të anëtarësohet sipas Islamit është krimi dhe terrorizimi, e cila nuk do të mund të luftohet nëse Kosova nuk bëhet pjesë e kësaj organizate.
“Pra transportimi i drogës, i armëve, qenieve njerëzore dhe terrorizimi do të jetë më i lirë nëse Kosova nuk do të jetë anëtare e INTERPOL-it dhe si rrjedhojë, INTERPOL-i dhe shtetet anëtare të saja kanë interes që të votojnë ‘pro’ anëtarësimit të Kosovës, dhe nuk besoj se do të ndikojnë shumë tërheqja e njohjeve për Kosovën sepse më shumë kanë lobu shtetet të cilat janë anëtare për anëtarësim të Kosovës, sesa vetë Kosova. Pra, shteteve anëtare ju konvenon më shumë që Kosova të jetë pjesë e INTERPOL-it”.
Ditë më parë Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç deklaroi se Serbia do të bëjë gjithçka për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
Republikës së Kosovës i nevojiten dy të tretat e votave të shteteve të pranishme në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit që do të mbajë punimet më 18 deri më 21 Nëntor, në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Asambleja e Përgjithshme përbëhet nga delegatët e emëruar nga qeveritë e vendeve anëtare. Si organi suprem i qeverisjes së INTERPOL-it, ai mblidhet një herë në vit dhe merr të gjitha vendimet kryesore që prekin politikën e përgjithshme, burimet e nevojshme për bashkëpunimin ndërkombëtar, metodat e punës, financat dhe programet e aktiviteteve.
Ai gjithashtu zgjedh Komitetin Ekzekutiv të Organizatës, dhe këtë vit Kuvendi do të votojë për një President të ri për dy vitet e mbetura të mandatit aktual (deri në vitin 2020). Në përgjithësi, vendimet merren me shumicë të thjeshtë në formë të rezolutës. Çdo vend anëtar i përfaqësuar ka një votë.
Shefat e policisë dhe ekspertët e sigurisë nga e gjithë bota do të mblidhen në Asamblenë e Përgjithshme të 87-të të INTERPOL-it në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe për të trajtuar një sërë çështjesh të sigurisë globale.
Nxitja e inovacionit në zbatimin e ligjit dhe lidhjen me policinë do të jenë tema kyçe, përveç bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe krimit kibernetik gjatë konferencës katër-ditore.
Në ditën e fundit, Asambleja e Përgjithshme do të zgjedhë një President të ri për dy vitet e mbetura të mandatit aktual (deri në vitin 2020). /V.Selimi/Arbresh.info/
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida
Grenell pritet të emërohet i dërguar special për konfliktin ...
McKee: Nuk pres që ShBA-ja të ndryshojë qasje ndaj Kosovës
Hamza: Buxheti i shtetit duhet të rritet si rezultat i rritj...
Superliga rikthehet sot me dy superduele