Pas kryeparlamentarit të Kosovës Kadri Veselit, i cili ka kërkuar që eshtrat e Hasan Prishtinës të kthehen në Kosovë dhe të rivarrosen përkrah dr. Ibrahim Rugovës dhe Adem Damaçit, edhe Komuna e Vushtrrisë ka kërkuar, madje zyrtarisht që eshtrat e Hasan Prishtinës të zhvarrosen nga varrezat e Kukësit dhe të rivarrosen në Vushtrri, aty ku është lindur.
Fatmire Cecelia, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë, ka konfirmuar se ka parashtruar kërkesë zyrtare në adresë të ministrit të Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit, Kujtim Gashi, që ta përdorë autoritetin e tij për sjelljen e eshtrave të Hasan Prishtinës në vendlindjen e tij, shkruan sot Gazeta “Zëri”
“Përmes kësaj shkrese ua përcjell kërkesën e shumë qytetarëve të Vushtrrisë, në veçanti të intelektualëve vushtrrias, të cilët në vazhdimësi paraqesin kërkesa në adresë të institucioneve komunale të Vushtrrisë, para së gjithash ndiej obligim moral, por gjithsesi edhe institucional që këto kërkesa t’i shtyjë më tutje. Pra, përmes kësaj shkrese ua përcjell kërkesat e shumë qytetarëve dhe të intelektualëve të Vushtrrisë, të cilët më të drejtë kërkojnë kthimin e eshtrave të Hasan Prishtinës në vendin e tij të lindjes, në Vushtrri. Duke qenë se emri dhe historia e patriotit të shquar Hasan Prishtina është e mirënjohur për gjithë kombin shqiptar, e konsideroj të panevojshme të ndalem në shpalosjen e historisë së tij, gjithnjë duke e konsideruar të mjaftueshëm dhe të arsyeshëm faktin që ta parashtrojmë këtë kërkesë, se Hasan Prishtina u lind në Vushtrri, andaj edhe eshtrat e tij duhet te jenë në Vushtrri, në vendin ku u lind”, thuhet mes tjerash në kërkesën e drejtoreshës Cecelia.
Afrim Berisha, njëri nga dy pasardhësit e Hasan Prishtinës (Afrimi dhe Agroni janë djemtë e Hakan Berishës, nipit të Hasan Prishtinës), ka falënderuar kryetarin e Vushtrrisë Xhafer Tahirin për respektin që ka treguar Komuna e Vushtrrisë ndaj figurës së Hasan Prishtinës në 85-vjetorin e vrasjes së tij, si dhe për kërkesën që eshtrat e tij të kthehen dhe të varrosen në Vushtrri.
“Në emër të familjes dhe të gjakut të Hasan Prishtinës, si pasardhës i vërtetë i Hasan Prishtinës, qysh e tha edhe historiani Fahri Buçinca, ju falënderoj përzemërsisht. Hasan Prishtina ka qenë i gjithë shqiptarisë, ndërsa neve na bën nder që jemi trungu i tij”, ka thënë Afrim Berisha, pasardhës i Hasan Prishtinës, i cili menaxhon me Hamamin e Hasan Prishtinës në Mitrovicë dhe i cili hyn në radhën e objekteve të trashëgimisë kulturore.
E ndërkaq publicisti Bedri Tahiri flet për veprimtarinë patriotike të Hasan Prishtinës.
“Sado që të flasësh për figurën më të ndritur të kombit Hasan Prishtinën, nuk mund t’i dalim hakut, ngase ai gjithçka dha e shkriu nga vetja, madje edhe jetën, për Shqipërinë e plotë, me Preshevë e Çamëri, me Tivar e Prevezë e deri te Molla e Kuqe. Kur më 1771-n, një plak me emrin Ali, me qerren mbushur me plaçka, kapërceu kodrat e Galicës dhe zbriti në Vushtrri, askujt nuk i shkonte ndërmend se i nipi do të bëhej aq i madh sa do ta trandë Perandorinë Turke në themel dhe do t’u prijë shqiptarëve në luftëra e beteja për çlirim e bashkim kombëtar. Ishte ky Ali Berisha i Polacit të Drenicës, i biri i Abdullah Aliut, njeriut të fundit të kësaj familjeje që vdiq dhe u varros në Polac”, tha Tahiri.
Duke folur për biografinë e tij, Tahiri precizoi se Hasan Prishtina u lind në Vushtrri, më 27 shtator 1873.
“Deri më 1908-n është quajtur Hasan Berisha-Polaci, gjegjësisht Hasan Vuçitërni, kurse prejse zgjidhet deputet i Prishtinës nënshkruhet Hasan Prishtina. Djaloshi kureshtar dhe inteligjent mësimet e para i mbaroi në vendlindje, të mesmet në Selanik dhe Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll.
Gjatë shkollimit fitoi kulturë të gjerë dhe u brumos me ide revolucionare e përparimtare evropiane. Ai shumë shpejt u bë një erudit i madh dhe pos shqipes njihte mirë anglishten, arabishten, frëngjishten, çerkezishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten dhe turqishten.
Hasan Prishtina është unik edhe në fushën e arsimit kombëtar. Me nismën e tij u organizua Kongresi i Alfabetit në Manastir (14 – 22 nëntor 1908). Atë vit do të nisë punën edhe Shkolla Normale e Elbasanit, ku do të mësojnë edhe shumë nxënës nga Kosova, shumica me harxhimet e Hasan Prishtinës.
Ky burrë i madh i kombit organizoi kryengritjen e madhe në Kosovë (1910-1911), Kuvendin e Junikut (21-25 maj 1912), ku u nxor memorandum prej 14 kërkesash, që më vonë do të njihen si “14 pikat e Hasan Prishtinës”, ishte kryeministër i Shqipërisë (vetëm katër ditë).
Ideali i Hasan Prishtinës ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i kombit shqiptar. Ai ishte i papajtueshëm me çdo përpjekje përçarëse, veri – jug, toskë e gegë.
Në një fjalim në Parlamentin shqiptar më 1921-n, ai deklaroi: Unë nuk jam as toskë, as gegë, por jam shqiptar. Së fundi, më 14 gusht 1933, spiuni Ibrahim Çelo nga Resnja e Maqedonisë, në rrugën “Çimisku” të Selanikut, derisa Hasani po shëtiste i doli pas shpine dhe e qëlloi me katër plumba.
Babai i Afrim dhe Agron Berishës, Hakan Ismet Berisha nga Mitrovica, ishte familjari më i afërt i Hasan Prishtinës. Ai ka vdekur në marsin e vitit 2015, ndërsa kishte shpjeguar se ai dhe familja e tij kishin jetuar në Vushtrri, por pastaj ishte shpërngulur në Mitrovicë.
Kjo familje kishte jetuar në Vushtrri deri në vitin 1934, deri atëherë kur serbët kishin konfiskuar shtëpinë e tij dhe e kishin shndërruar në ndërtesë të Gjykatës Komunale.
“Zejnullah Begu dhe Hasan bej Prishtina kanë qenë djemtë e dy vëllezërve. Zejnullahu ka qenë i Abdullahut, kurse Hasani i Ahmetit. E Abdullahu dhe Ahmeti kanë qenë të Aliut. Zejnullah begu kishte vetëm një motër, e cila ishte e martuar në Turqi, kurse Hasani e kishte vetëm një vëlla, Ymerin. Zejnullah begu, gjyshi i Hakanit, kishte katër djem, Qemajlin, Ismetin, Abdullahun dhe Besimin, si dhe dy vajza: Shukrijen dhe Naziren. Hasan Prishtina nuk kishte fëmijë. Ndër më të afërmit e tij ka qenë Elma, vajza e të vëllait, Ymerit. Hakani i ka dy djem, Afrimin dhe Agronin dhe një motër e cila jeton në Prishtinë, e cila ka një djalë dhe një vajzë, që të gjithë me pasardhës”, shpjegon Afrimi.
Patrioti Hasan Prishtina është kthyer në bronz në Vushtrri vitin e kaluar dhe shtatorja e tij do të vendoset në sheshin që do ta mbajë emrin e Hasan Prishtinës, në vendin e ndërtesës së vjetër të Komunës së Vushtrrisë.
Së paku 16 të lënduar pasi një raketë e hedhur prej Jemenit ...
Kosova e Shqipëria nënshkruajnë Marrëveshje për Sigurinë Ush...
Guardiola tregon se a do të përforcohen gjatë afatit kalimta...
Dështon “premtimi” për 30 autobusë të rinj në vitin 2024, sh...
Çfarë dihet deri më tani për sulmin në Magdeburg?
Në dy raste të ndara policia arreston dy persona për armëmba...