“Në hyrje të Skënderajt, në një servis të materialit ndërtimor “Servisi i Lahut” gjenden trupat e masakruar të 53 shqiptarëve gjatë ekspeditës terroristike të forcave serbe në Prekaz të Ulët dhe Skënderaj përgjithësisht. Pamja e kufomave të paluara ngjitas njëra-tjetrës, në dy radhë tmerrësisht të gjatë, është e llahtarshme”
Masakra e fillim-marsit të vitit 1998 ndaj familjes Jashari në Prekaz të Drenicës shkundi themelet, hapi me hir e pahir veshët dhe sytë dhe i dha botës pamjen e vërtetë të maktheve të fundbotshme të cilat po përjetonin shqiptarët e Kosovës në fund të mileniumit të dytë.
Kumti që dha ajo për botën ishte i qartë: një popull kishte nisur të zhbëhej dhe e vetmja referencë historike që i përngjante në formë, paçka se akoma jo në përmasa, ishte ajo e hebrenjve. Metodat dhe ekzekutimi i kësaj mësymje ishin sa të reja, aq edhe të vjetra.
Masakra ndaj Jasharëve ishte një nga premierat më makabre të asaj që do të përjetonin shqiptarët e Kosovës. Por ky mbi-krim s’e arriti dot atë që synonte Serbia: zhbërjen e rezistencës së shqiptarëve. Përkundrazi. Ishte pika e fillesës së historisë më të lavdishme të dekadave të fundit.
Dëshmia për atë që ndodhi më pesë, gjashtë dhe shtatë mars ishte e domosdoshme. Dhe ajo erdhi e vërtetë nga vajzat dhe djemtë, burrat dhe gratë që shkuan ta merrnin në Prekaz. Ndër ta ishte edhe intelektuali dhe publicisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Enver Maloku.
I titulluar “Pamje të llahtarshme të masakrës në Drenicë”, shkrimi i një prej njerëzve më të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova është një germëzim i pamjeve tronditëse që kishin parë sytë e tij dhe të gjithë atyre që e kishin vizituar Prekazin pas asaj masakre.
Ngjethëse dhe gjumprishëse për secilën qenie njerëzore ishin rrëfimet e të gjallëve, të cilët nuk ndaheshin dot nga kufomat e të vrarëve, të masakruar pastaj, të mbledhura nga Enver Maloku, si dëshmi e përbotshme e krimeve çnjerëzore të Serbisë ndaj shqiptarëve.
Rrëfimin e Enver Malokut, i vrarë më pak se një vit pas ngjarjeve në Prekaz, në rrethana ende të panjohura, kemi vendosur ta risjellim, në përvjetorin e 21-të të masakrës ndaj Jasharëve të Prekazit.
___
Qendra për Informim e Kosovës
Informatori ditor nr.1993 D
Prishtinë, e martë, 10 mars 1998
Edicioni i katërt (ora 18:00)
Pamje të llahtarshme të masakrës në Drenicë
Në hyrje të Skënderajt, në një servis të materialit ndërtimor “Servisi i Lahut” gjenden trupat e masakruar të 53 shqiptarëve gjatë ekspeditës terroristike të forcave serbe në Prekaz të Ulët dhe Skënderaj përgjithësisht.
Pamja e kufomave të paluara ngjitas njëra-tjetrës, në dy radhë tmerrësisht të gjatë, është e llahtarshme. Afër njëri tjetrit janë trupat e anëtarëve të familjeve të tëra. Nga një familje janë masakruar ose vrarë edhe 19 anëtarë, nga një tjetër pesë.
Pamja e trupave të vrarë është dëshmi për aksionin terroristik me qëllim të masakrimit të popullsisë. Dy trupa janë të goditur nga granatat, njëri në gjoks, tjetri në fyt. Trupi i Shaban Jasharit është masakruar me thikë. Në trup ka një xhep të hapur me thikë, njëra dorë i është këputur, ndërsa sytë i janë nxjerrë. Një të riu i është çarë koka përgjysmë.
Shihet se njerëzit janë vrarë me armë të rënda. Disave u është marrë shpirti dalëngadala me torturë. Adem Jashari, kundër të cilit thotë policia se e ka organizuar aksionin, ka vetëm një vrimë plumbi në fyt.
Të llahtarshme duken pamjet e trupave të fëmijëve të vrarë.
Zenë Jasharit, një 48 vjeçari, i janë vrarë Blerimi 5-vjeçar, Bujari 12-vjeçar, Abdullahu 15-vjeçar dhe gruaja Bahtie 43-vjeçare, e cila ishte shtatzënë. Gruaja me tre fënmijët e tij kishin shkuar për t’u strehuar te axha Haliti. Mirëpo, pikërisht ajo shtëpi kishte filluar të bombardohej. Nga bombardimet ishin vrarë në vend gruaja dhe djali Avdullahu. Ndërsa, dy fëmijët e vegjël policia i kishte marrë me vete dhe i kishte dërguar në oborrin e Fabrikës së Municionit.
– Mendoja se janë gjallë, por u tmerrova kur i pash trupat e tyre të vrarë që i solli policia! – thotë ai.
Trupat e dy fëmijëve kanë plot shenja të goditjeve me mjete të forta. Blerimi ka shenja në anën e djathtë të kokës, ndërsa Bujari është qëlluar edhe me një plumb në tamth në anën e majtë.
– Qe dy ditë e dy net qëndroj këtu. Nuk mund të ndahem nga trupat e vrarë të fëmijëve të mi!- thotë Zena.
Tronditës ishte momenti i identifikimit të të vrarëve gjatë ditës së sotme. Shumë anëtarë të familjeve, për shkak të rrezikut nga snajperistët serbë, nuk e kanë bërë ende identifikimin e të vrarëve.
Abaz Jashari, 22-vjeçar, nuk mund ta përballonte sot tmerrin kur i pa trupat e babait e gjyshes së vrarë për të cilët shpresonte se ishin gjallë. Dhembja e tij ishte edhe më e madhe nga frika se mund t’i jetë vrarë edhe i vëllai i tij në moshë të re, trupin e të cilit e kërkonte.
Në këtë morg të improvizuar, aktivistët e LDK-së dhe të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut përpiqeshin të kryenin identifikimin e të vrarëve. Deri më tash ata kanë arritur të identifikojnë 37 të vrarë. Katër kufoma vështirë se do të mund të identifikohen, pasi janë të karbonizuara. Identifikimi bëhet vështirë edhe për shkak se banorët e Prekazit të Ulët mbahen ende në një rrethim të fortë.
Të gjithë janë të sigurtë se numri i shqiptarëve të vrarë është më i madh se ky që njihet deri më tash. Askush deri më tash nuk e ka kontrolluar terenin e Prekazit të Ulët as shtëpitë që janë sulmuar.
Për të humbur gjurmët e krimit, policia ka bërë presion gjatë gjithë ditës ndaj aktivistëve të LDK-së dhe anëtarëve të familjeve me qëllim që të kryhet brenda ditës varrimi i të vrarëve. Përgjegjësit e policisë serbe në Skënderaj janë kërcënuar disa herë gjatë ditës se do t’i varrosin vetë të vrarët, nëse këtë nuk e bëjnë familjet e tyre.
Varrimi do të jetë i vështirë edhe për shkak të numrit të pakët të njerëzve që do të përgatisnin ceremoninë e varrimit. Nga disa familje nuk ka mbetur askush në Prekaz ose në Skënderaj, pasi, ose janë vrarë, ose janë larguar në vende të tjera.
Në Skënderaj gjatë ditës së sotme kanë qëndruar përfaqësues të disa organizatave humanitare ndërkombëtare dhe ekipe televizive të disa qendrave të njohura në botë. Mirëpo, policia serbe nuk ia lejoi hyrjen në Skënderaj as sot një delegacioni të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe të Hënës së Kuqe.
Skënderajn sot e vizitoi një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përbërje Anton Noka, nënkryetar, mr. Fatmir Sejdiu, sekretar i përgjithshëm, dr. Rexhep Gjergji, Basri Musmurati, Abdyl Ramaj, Ramë Buja, anëtarë të Kryesisë, dr. Edi Shukriu, kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së, Naim Jerliu, kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së dhe Enver Maloku, përgjegjës i Qendrës për Informim të Kosovës.
Delegacioni nuk mundi të bisedonte me udhëheqjen e Degës së LDK-së, pasi shumica prej tyre janë të bllokuar në Llaushë, ose në fshatrat tjera.
Aktivistët e Degës së LDK-së në Skënderaj që mundën të bisedonin me këtë delegacion thanë se gjendja në Skënderaj është dramatike në të gjitha planet. Në planin e sigurisë fizike, janë të kërcënuar të gjithë banorët e Drenicës. Forcat serbe në gjendje të gatishmërisë më të lartë kërcënojnë praktikisht secilin. Në kodrat për rreth Skënderajt shiheshin snajperistët serbë, të cilët mbajnë në rrethim të plotë qe disa ditë fshatrat dhe vetë qytezën e Skënderajt.
Gjendja dramatike është edhe në shëndetësi dhe në ushqime. Nga frika ose mungesa e mallrave, në Skënderaj pothuaj nuk rri hapur asnjë shitore. Si në qytet, ashtu edhe në fshatrat e Drenicës përskaj udhës Komoran – Gllogoc – Skënderaj sundojnë pamje të tmerrit që vazhdon. Këto pamje japin pamjen e një jete të shkretëruar. Gjatë shkuarjes dhe kthimit në rrugën që përshkon disa fshatra të Drenicës nuk shihet njeri të lëvizë as tym në oxhaqet e shtëpive. Në Komaran, për një orë, nuk u pa qoftë një njeri në rrugë, ose në shtëpitë për rreth.
Ancelotti thotë se nuk e kishte menduar rikthimin tek Reali,...
Arrestohet 40 vjeçari në veri, policia i gjen rreth 100 kart...
Haradinaj për Hovenierin: Ishte më shumë se ambasador
Kurti dhe Rizvanolli vizitojnë ndërmarrjen KRU “Prisht...
Driloni ndan shtratin me Gjestin, Xheneta: Nuk e di qysh ka ...
Tyson Fury – Oleksandr Usyk/ Meçi i vitit, flasin eksp...