Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur gjatë ditës së djeshme në seancë të jashtëzakonshme për të debatuar për heqjen e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave. Edhe pse deputetë të subjekteve politike në pozitë dhe në opozitë u shprehën pro heqjes së monopolit të “Eurolab”-it, biznes i familjes Devolli nga Peja, për shkak të mungesës së kuorumit nuk u mor ndonjë vendim për këtë çështje.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Zharku, i cili ishte edhe iniciues i seancës ka pasur kritika për Udhëzimin Administrativ, i cili i përcakton kushtet për homologim të mjeteve rrugore në Kosovë. Ai ka thënë se ky Udhëzim Administrativ cenon Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe bën shkelje ligjore në regjistrimin e veturave të reja në vend. “Dispozitat e caktuara të Udhëzimit Administrativ 2/2018 për Përcaktimin e Kushteve dhe të Procedurave për Homologim të Mjeteve Rrugore, i datës 12 prill 2018, i nënshkruar nga ministri Lekaj janë në kundërshtim me Ligjin për Automjete. Edhe Zyra e BE-së për këtë ka angazhuar ekspertë të jashtëm, të cilët konfirmuan se ekziston shkelje ligjore në regjistrimin e veturave të reja në Kosovë. Ky Udhëzim është në kundërshtim me Ligjin për Automjete, i cili cenon edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, ka thënë ai.
Zharku ka propozuar disa veprime që duhet të merren sa i përket Udhëzimit Administrativ, i cili ka të bëjë me homologimin e veturave. “Menjëherë të shfuqizohet Udhëzimi Administrativ 2/2018 për Përcaktimin e Kushteve dhe të Procedurave për Homologim të Mjeteve Rrugore i Ministrisë së Infrastrukturës. Në afat prej dy muajve të hartohet dhe të hyjë në fuqi udhëzimi i ri administrativ, i cili do të jetë në përputhje me Ligjin për Automjete, me Ligjin për Mbrojtje të Konkurrencës dhe me rekomandimet e Zyrës së BE-s, si dhe deri në fund të vitit 2019 të liberalizohet tregu i homologimit të automjeteve”, ka theksuar ai, shkruan tutje “Zëri”.
Ndërsa deputetja nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka thënë se përmes procesit të homologimit kanë përfituar më shumë individë të caktuar sesa shteti. “Duhet të shikojmë për ato që kanë rëndësi se cilat janë përfitimet që i kanë konsumatorët nëse automjetet e tyre hyjnë përmes procesit të homologimit. Përfitimet kanë shkuar më shumë në xhepat e atyre që kanë pasur sesa në buxhetin e shtetit. Jemi kundër monopolit, shteti duhet të bëjë rregulla pastaj të sigurohet në zbatimin e tyre”, ka thënë ajo.
Konjufca: Janë bërë dy krime të mëdha sa i përket homologimit të veturave
Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se në Kosovë janë bërë dy krime të mëdha sa i përket homologimit të veturave. Sipas tij, vendimet që janë marrë për homologim kanë qenë antikushtetuese. “Krimi i parë është ai i vitit 2008. Atë udhëzim e ka marrë ministri i atëhershëm Fatmir Limaj. Në vitin 2008 duke e keqinterpretuar qëllimisht Ligjin e atëhershëm për Siguri në Komunikacion, ai shkon dhe e shkruan një udhëzim administrativ duke e pasur në mendje një kompani të caktuar, të cilën e përgatisin t’ia japin një fushë siç është kjo procedura e homologimit në Kosovë. Ajo kontratë i ka 10 vjet afat. Krimi i dytë është bërë kur kësaj kontrate i është ofruar fundi dhe në vend se ta ndërpresë kontratën, Pal Lekaj e merr udhëzimin administrative të tij, i cili ia siguron vazhdimësinë e monopolit në homologia kompanisë ‘Eurolab’”, ka thënë ai.
Isufi: Të mos homologohen veturat që vijnë nga BE-ja në Kosovë
Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka kërkuar që veturat të cilat vijnë nga shtetet tjera në Kosovë të mos kenë nevojë që prapë të homologohen. “Konsideroj se është absurde që një automjet i ri i homologuar në një vend tjetër të vijë në Kosovë dhe t’i hyjë edhe një herë të njëjtës procedurë, që të përfitojë dikush”, ka thënë ai.
Isufi po ashtu ka kërkuar që të ulen edhe çmimet e homologimit të vetura në Kosovë e të hapen edhe qendra tjera të homologimit. “Ne jemi kundër monopolit dhe jemi edhe kundër centralizimit. Pse të jetë vetëm një qendër ku bëhet homologimi, kur ka mundësi të hapen disa qendra ku bëhet homologimi në nivel Kosove dhe të mos detyrohen njerëzit të paguajnë edhe transporte. Ndërsa nëse çmimet janë më të larta ,madje edhe të disa vendeve të Bashkimit Evropian, duhet të veprohet edhe në këtë që të ndryshohet gjendja”, ka thënë ai.
Ndërsa kritika ka pasur edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi. Ai ka thënë se si PDK janë pro ekonomisë së tregut të lirë. “PDK-ja është fuqishëm pro ekonomisë së tregut të lirë. Në këtë kuadër ne jemi në favor të konkurrencës së lirë për mundësi të barabarta dhe kundër monopoleve. Çështja konkrete e homologimit është çështje e vjetër. Kjo çështje është diskutuar herë pas here. Ndër problemet themelore që e ka sjellë këtë situatë është Ligji për Automjete”, ka thënë ai.
Sherifi: Nëse heqim homologimin e veturave do të kemi telashe me BE-në
Shefi i Grupit Parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se nëse Kosova do ta heqë homologimin, atëherë do të ketë telashe më Bashkimin Evropian. “Ne do të angazhohemi që të jemi bashkëpunues. Nuk jemi të interesuar të dëmtohen qytetarët. Nëse dëshironi të hiqet homologimi do të kemi telashe me standardet e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Në anën tjetër Sherifi ka shprehur edhe dyshimet e tij se a po bën me të vërtetë kompania “Eurolab” homologim ose vetëm kontrolle teknike. Ai ka thënë se duhet të kalohet Ligji Antimonopol dhe në Kosovë të ketë konkurrencë të lirë./ZËRI
KFOR-i turk patrullon në veri të vendit
“S’të kam lënë kurrë në baltë”, Sara dhe Driloni nuk ndahen ...
Banorët e Bibajve të Ferizajt protestojnë për reduktimet e r...
Juventusi ka një plan B në rast se dështon transferimi i Zir...
Izraeli arreston drejtorin e një spitali në veri të Gazës
Kurti dhe Nagavci vendosin gurthemelin e çerdhes në Rekë-Vat...