Google ADS

Ekstradohet nga Mali i Zi Leutrim Latifi, i dyshuari për grabitje në banka e kazino

19:10 | 24 Maj 2019
Arbresh.info

I dyshuari për disa vjedhje të rënda në Kosovë, Leutrim Latifi, është arrestuar në Mal të Zi dhe tashmë është ekstraduar në Kosovë.

“Koha Ditore” nga burime brenda organeve të drejtësisë ka mësuar se ekstradimi i tij ka ndodhur sot në orët e pasdites.

Policia e Kosovës vitin e kaluar pati zbuluar identitetin e tre personave të dyshuar për disa vjedhje, Leutrim Latifi, Kastriot Shala e Ridvan Ademi, ndërsa thoshte se këta persona janë me rrezikshmëri të lartë.

Më 9 maj të këtij viti ishte arrestuar Kastriot Shala në Hajvali derisa gjendej në një veturë të tipit Golf 7, kurse gjatë arrestimit ishte në posedim të një arme të cilën e kishte në veturë. Bashkë me Shalën ishin arrestuar edhe dy persona me të cilët ai ishte bashkë.

Shala, bashkë me Latifin e Ademin, kërkoheshin që nga tetori i vitit të shkuar për disa raste të grabitjeve.

Edhe pse ishin në arrati, Shala bashkë me Leutrim Latifin përmes Facebookut kishin bërë shaka me kërkesën për arrestimin e tyre. Madje kishin pasur edhe video-live nga Spanja, siç thoshin ata.

Policia pati ofruar shpërblim prej 5000 eurosh për ata që ofrojnë ndihmë për vendndodhjen e tre të dyshuarve për grabitje, Kastriot Shala, Leutrim Latifi dhe Ridvan Ademi.

Tre të sipërpërmendurit dyshohet se kanë kryer grabitje të armatosura në banka, kazino e në qendra tregtare në vend.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme