Ekstradimi i Morinës në Serbi ka mbetur në labirintet gjyqësore të Maqedonisë së Veriut

19:55 | 5 Gusht 2019
Arbresh.info

Ministria maqedonase e Drejtësisë ka dorëzuar në Gjykatën Penale kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-ushtarit të UÇK-së Tomor Morina.

Penalja kërkesën për ekstradim do ta dorëzojë edhe në Prokurori për të marrë mendim nga organi ndjekës, e më pas, qëndrimin e tyre do ia kumtojnë Ministrisë së Drejtësisë, e cila do të japë vendimin përfundimtar, nëse Morina do të ekstradohet ose jo.

“Gjykatësi i procedurës paraprake, në pajtim me dispozitat ligjore, kërkesën do ta dërgojë në Prokurorinë kompetente për të marr mendim, ndërsa me marrjen e këtij mendimi, gjykata do të dalë me qëndrim, të cilin do e dorëzojë në Ministrinë e Drejtësisë e cila është kompetente për procedurën e mëtejshme të ekstradimit”, thonë nga Gjykata Penale, raporton Alsat-M.

Gjykata Penale sot ka miratuar kërkesën e Ambasadës së Kosovës në Shkup për të vizituar Tomor Morinën, i cili gjendet në paraburgim, ndërsa paraprakisht, Gjykata kishte hedhur poshtë kërkesat e zëvendësministrit të brendshëm të Maqedonisë së Veriut, Agim Nuhiut dhe zëvendëskryeministrit Bujar Osmani.

Ndërsa mbetet e paqartë se sa do të zgjasë procedura nëpër labirintet e institucioneve të drejtësisë, politikanë maqedonas dhe të Kosovës thonë se ekstradimi i Morinës nga Maqedonia në Serbi është thuajse i pamundur.

Sipas Naser Raufit, avokatit të Tomor Morinës, Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut, bazuar në Ligjin për bashkëpunim ndërkombëtar për materie penale, nuk duhet të lejojë ekstradimin e Morinës në një shtet ku nuk pritet gjykim i drejtë, pasur parasysh qasjen e Beogradit ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së.

“Ministri nuk do të lejojë ekstradimin e personit për të cilin është kërkuar ekstradim nëse ekzistojnë arsye serioze të dyshimit se ai mund t’i nënshtrohet torturës dhe apo ndonjë lloji tjetër trajtimi mizor, çnjerëzor ose degradues, ose shqiptim i dënimit me vdekje”, ka thënë Raufi.

Morina për gati dy javë po qëndron në paraburgim në Maqedoninë e Veriut, ndërsa u arrestua në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë. Morina ka shtetësi të dyfishtë, të Britanisë së Madhe dhe të Kosovës. Ai deri tani kishte lëvizur pa asnjë problem në të gjitha shtetet evropiane.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme