Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili në vitin 2011 kishte nisur si dialog për rregullimin e çështjeve teknike, për të vazhduar më pas si dialog politik, nuk ka dhënë rezultatet e pritura nga palët në dialog e as nga Bashkimi Evropian, si lehtësues i këtij proces, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në vend.
Analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se dialogu Kosovë-Serbi pati nisur i kushtëzuar nga perspektiva evropiane për të dyja vendet dhe se Bashkimi Evropian ishte në pozitë të favorshme kushtëzuese për të dyja palët.
“Në fillimet e veta, por edhe deri vonë, dialogu e ka pasur një efekt pozitiv në normalizimin e marrëdhënieve brenda Kosovës, qoftë në shtendosjen e tensioneve etnike me veriun, si dhe në integrimin e strukturave paralele të Serbisë në institucionet e Kosovës. Mirëpo, elementi teknik e ka pasur kufirin e vet, sepse fundja, të gjitha problemet, qoftë edhe disa prej tyre teknike, në mes të Kosovës dhe Serbisë, e kanë një dimension të thellë politik. Tani kemi arritur në një pikë ku kërkohet që të zgjidhen. Meqë problemi është politik, shumë prej marrëveshjeve teknike mbahen peng prej njërës dhe palës tjetër, në njëfarë forme, si taktika negociuese”, theksoi Maliqi.
Taktizimet e Serbisë me dialogun
Por, Milazim Krasniqi, shef i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga fillimi ka pasur lojë të hapur nga të gjithë akterët.
“Në një aspekt, mund të thuhet se janë thyer disa barriera psikologjike, veçmas në Marrëveshjen e Brukselit. Por, në anën tjetër, Marrëveshjen e Brukselit, Serbia e ka përdorur vetëm për ta përmirësuar imazhin e vet dhe në të njëjtën kohë e ka mbajtur kursin e presionit dhe tentativave për destabilizim të Kosovës, si dhe për moslejimin e inkuadrimit të saj në organizata ndërkombëtare. Pra, është luajtur lojë e dyfishtë dhe nuk ka pasur sinqeritet dhe vullnet që të ndiqet me konsekuencë realizimi i këtyre marrëveshjeve gjë që do ta shtendoste më shumë raportin”, theksoi Krasniqi.
Mendim të ngjashëm ka edhe analisti i çështjeve politike Imer Mushkolaj. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka treguar mjaft vullnet për normalizimin marrëdhënieve me Serbinë, por kjo e fundit ka taktizuar drejt qëllimit të kundërt. Për më shumë, sipas tij, as Bashkimi Evropian si lehtësues i dialogut, nuk ka reaguar në momentet e duhura.
“Normalizimi i marrëdhënieve nuk nënkupton normalizim vetëm nga njëra anë, por duhet normalizim i dyanshëm. Kjo, fatkeqësisht nuk ka ndodhur. Raportet, në disa fusha, janë përkeqësuar edhe më shumë sesa që kanë qenë më parë. Ka disa përparime të vogla në fusha të caktuara. Por, prapë nuk mund të flasim për normalizim, duke pasur parasysh që Serbia, në vend se të angazhohet dhe të investojë në këtë normalizim, në fakt e ka bërë të kundërtën. Ajo ka investuar dhe është angazhuar që ta sabotojë dhe ta pengojë vazhdimisht qenien e Kosovës si shtet i pavarur”, theksoi Mushkolaj.
Para fazës së fundit të procesit
Megjithatë, analisti Maliqi shpreh mendimin që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në njëfarë forme po vazhdon në terma real. Sipas tij, e gjithë ajo që ka ndodhur në muajt e fundit është vazhdim i dialogut, por siç thotë ai, me mjete të tjera, ku palët po përpiqen ta forcojnë pozicionet e tyre në terren, si pikënisje e fazës së fundit të dialogut.
“Pra, Kosova, me mbështetjen e aleatëve kryesorë, kryesisht të SHBA-së, është duke e konsoliduar shtetësinë nga brenda. Qoftë me formimin e Ushtrisë, qoftë duke e trajtuar Serbinë në mënyrë reciproke në ekonomi, por e mbyllë, po e kornizon sovranitetin nga brenda. Ndërsa, Serbia, po mundohet ta forcojë pozicionin e saj negociues, duke e mbajtur peng atë ‘tapinë’ mbi shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ndonëse këto mund të duken sikur – por edhe janë në njëfarë forme – situata të tensionit, të konfliktit, këto janë forma të vrazhda të negocimit, para kësaj fazës së fundit”, theksoi Maliqi.
Megjithatë, profesor Krasniqi vlerëson që në fund të vitit 2018, mund të konsiderohet se raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë më të këqija se sa pesë vjet më parë dhe se procesi i dialogut pritet të evoluojë.
“Kjo ka ndodhur për një arsye, sepse dialogu është zhvilluar për çështje fragmentare, të veçanta, siç është çështja e tabelave të veturave ose gjëra të kësaj natyre, por jo për normalizimin e mirëfilltë të raporteve. Prandaj edhe çështja, në dialogun final, po thuhet se do të ndryshojë, duke kërkuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe jo fragmentare. Besoj që në periudhën që hyjmë, do të ketë fokusim, pikërisht në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sepse marrëveshjet e veçanta nuk arrijnë të zgjidhin konfliktin e madh që ekziston ndërmjet dy vendeve”, theksoi Krasniqi.
Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës ka arritur ta krijojë një ekip negociator, i përbërë nga përfaqësuesit e partive politike në pushtet, si dhe nga subjekti opozitar, Partia Socialdemokrate. Dy partitë tjera më të mëdha në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij ekipi.
Ekipi negociator së bashku me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të shkojë në një takim në Bruksel, më 8 janar të vitit 2019.
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit