Google ADS

E pamundur të pranojnë disfatën, komentet e ministrit serb pas pranimit të Kosovës në Frankofoni

20:14 | 11 Tetor 2018
V. S.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot njoftoi për avancimin e statusit të  Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Ndërsa, Serbia të enjten në një takim me anëtarët e përhershëm të Frankofonisë mori statusin e anëtarit të asociuar, tha ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, duke deklaruar se për Serbinë do të thotë një hap më tej në rritjen e statusit të saj, që do të zhvillojë më tej bashkëpunimin brenda kësaj organizate shumë të rëndësishme.

Mirëpo nuk ka mbetur pa e komentuar lajmin se Kosova ka marrë statusin e anëtarit të asociuar, fakt të cilin përfaqësuesit e Kosovës e kanë cilësuar fitore të madhe për diplomacinë kosovare, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se Kosova vetëm është futur në këtë organizatë, por nuk njihet si shtet.

“Statusi i anëtarit të asociuar praktikisht e marrin të gjithë ata që shprehin një dëshirë të tillë. Me këtë rast u kërkua edhe për Kosovën, anëtarë të 13 vendet e përhershme, paraqitën një deklaratë që thuhet se Kosovës i është dhënë statusi i anëtarit të asociuar, por nuk do të thotë që e kanë njohur Kosovën si shtet dhe se qëndrimi i tyre mbi Kosovën mbetet i pandryshuar”, ka thënë ministri serb.

Mes tjerash ai ka thënë se kanë zhvilluar takime bilaterale me një numër vendesh mbi tema që janë të rëndësishme, por edhe mbi çështjen e Kosovës, ku sipas tij, shumë vende do ta tërheqin njohjen, ku numri i shteteve që e kanë njohur shumë shpejt do të bie nën 100. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme