“E goditi mbreti me shpatë dhe doli uji” – legjenda e “Kroit të Mbretit” në Korroticë të Drenasit

19:40 | 23 Gusht 2018
Arbresh.info

Në fshatin Korroticë, të Drenasit gjendet një krua, për të cilin thuren legjenda të shumta.

Bëhet fjalë për “Kroin e Mbretit”, i cili sipas banorëve ekziston prej shekujsh.

Uji i freskët i këtij kroi ju shërben edhe sot banorëve të këtij fshati dhe fshatrave përreth.
Legjenda thotë se një mbret ishte ndalur për të pushuar në vendin që tashmë quhet “Kroi i Mbretit”, kali i tij kishte shpuar gurin me këmbë, në të cilin ishte ulur mbreti, dhe nga aty kishte filluar të rrjedhë ujë.

Sot vendi njihet si “Kroi i Mbretit”, dhe me këtë legjendë janë rritur të gjithë banorët e Drenasit.

“Ushtria jugosllave janë pozicionuar në një lëndinë këtu afër dhe e kanë ndërtuar kroin si është sot, pasi uji rridhte vetëm nga guri. Guri që ka qenë e ka pasur një vrimë, nga gojëdhëna thuhet se aty ka futur dorën mbreti. Por mendohet se mbreti i ka rënë gurit dhe ka dalë uji”, shprehet për RTV Dukagjinin, Rrustem Dobërdelani banorë i fshatit Korroticë.

Ai thotë se legjendën për këtë krua e ka dëgjuar nga prindi i tij, përcjell Telegrafi.

Uji nga ky krua nuk ndalet së rrjedhuri, dhe nga ai marrin ujë edhe banorët e fshatrave tjerë të Drenasit.

Një tjetër i moshuar thotë një version tjetër të legjendës së “Kroit të Mbretit”.

“Ka ardhur mbreti këndej me ushtri, dhe kali i tij e ka has gurin, ndërsa mbreti me shpatën e tij e ka goditur gurin nga i cili më pas ka rrjedhë uji. Pastaj aty kanë pirë edhe ushtria edhe të gjithë, dhe nga ajo kohë i ka mbetur emri “Kroi i Mbretit”, thotë Rexhep Muleta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme