Dyshimet për një tender, policia dërgon në mbajtje disa zyrtarë të Komunës së Drenasit

14:45 | 31 Maj 2019
Arbresh.info

Policia e Kosovës ka ndalur për 48 orë disa zyrtarë të Komunës së Drenasit lidhur me dyshimet për një tender të para disa viteve.

Gjatë ditës se sotme në Komunën e Drenasit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas pranimit të informacioneve zyrtare nga vetë Komuna e Drenasit, ka ndërmarrë veprime policore lidhur me një rast të iniciuar me datën 12.04.2019, i cili ka të bëjë me dyshimet për përfshirje të disa zyrtarëve në veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe  mashtrimi në detyrë’, që ndërlidhen me një projekt tenderues të disa viteve më parë.

Pas hetimeve të kryera në cilësinë e personave të dyshuar janë intervistuar pesë persona,  prej tyre tre zyrtarë të kësaj komune, një ish zyrtar i komunës dhe një person i kontraktuar për menaxhimin e projektit tenderues, të cilët me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në ndalim për 48 orë.

Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës është duke vazhduar hetimet mbi dyshimet e bazuara të përfshirjes së mundshme edhe të personave të tjerë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme