Drashkoviq: Me nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës, u nënshkrua kapitullimi i Serbisë

14:53 | 12 Qershor 2019
V. S.

Politikani serb, Vuk Drashkoviq, ka thënë se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës në vitin 1999, ishte nënshkruar edhe kapitullimi i Serbisë, pasi që Sllobodan Millosheviq kishte pranuar që të largohej përgjithmonë nga Kosova bashkë me të gjithë ushtrinë, paramilitarët, policinë dhe të gjithë formacionet tjera me të cilat  ishte prezentë në Kosovë.

Ai thotë se kjo është një e vërtetë, dhe Serbia duhet të përballet me një të vërtetë të tillë.

Këto deklarata Drashkoviq i ka bërë në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, duke thënë se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara largoi përgjithmonë Kosovën nga Serbia.

Ai thotë se ajo Rezolutë përmbysi integritetin dhe sovranitetin e Jugosllavisë mbi Kosovën, duke përcaktuar hapat për përcaktimin e statusit final të Kosovës në përputhje me këtë rezolutë dhe marrëveshjen e Rambujesë, të cilën e kishte refuzuar Serbia. Ai thotë se tashmë një gjë e tillë duhet pranuar.

“ Bazuar në Marrëveshjen e Kumanovës, Serbia ka nënshkruar kapitullimin ushtarak, ndërkohë Rezoluta 1244 ka bërë që  Serbia të jetë një shtet i ndarë nga Kosova”, ka thënë ai, trasnmeton Gazeta Express.

Ai thotë se mos pranimi i të vërtetës i ka kushtuar shumë Serbisë në këto 20 vjet të fundit.

Ai thotë se pavarësisht vuajtjeve që një komb apo një shtet mund të ketë përjetuar, duhet marrë përgjegjësitë për humbjet./GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme