Dorëheqje të njëpasnjëshme, tronditet partia e Ramës

09:53 | 30 Gusht 2019
arbresh.info

Tetë drejtorë të drejtorive rajonale në Qarkun e Shkodrës, paraqitën të enjten dorëheqjen nga detyra, ndërkohë që dorëheqjen e tyre pritet ta pasojnë edhe të paktën 10 drejtorë të tjerë të këtij qarku. Mes drejtorëve që kanë dhënë dorëheqjen është edhe Edmond Emini, drejtuesi aktual i degës së PS-së në Shkodër si dhe ish deputeti Astrit Beci.

Dorëheqja e tyre u paralajmërua një ditë më parë, në përfundim të takimit të kryeministrit Rama me drejtuesit politikë të Qarkut të Shkodrës. Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Brisela Kadia, njoftoi vendimin për shkarkimin e të gjithë drejtorëve rajonalë. “Të gjithë drejtorëve të Bashkisë Shkodër, ju komunikua se duhet të japin dorëheqjen… Prioritet në këto vende vakante që do të krijohen do të kenë gratë, për të qenë drejtuese të këtyre institucioneve”.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Partia Socialiste po ndërmerr “një hap të rëndësishëm rigjenerimi” në degën e Partisë Socialiste në Shkodër për shkak se “në disa palë zgjedhjesh rezultatet në Shkodër nuk kanë qenë ato të dëshiruarat për partinë më të madhe në Shqipëri”.

Modeli që socialistët kanë zgjedhur për përmirësimin e imazhit të tyre në Shkodër, të dëmtuar pas zgjedhjeve të 30 qershorit, është zëvendësimi i drejtorëve të drejtorive rajonale me gra dhe vajza. Nuk është e qartë nëse ky model do të funksionojë, pasi, edhe ato pak gra e vajza, që drejtojnë sot disa nga drejtoritë rajonale të këti qarku, nuk është se u është dëgjuar zëri apo kanë patur ndikim të qartë në zhvillimet politike dhe ekonomike të Shkodrës.

Zëra brenda Partisë Socialiste janë kritikë për modelin e ofruar. Ish Ministri i Jashtëm dhe ish drejtuesi i fundit politik për Shkodrën, deputeti Ditmir Bushatit. menjëherë pas mbledhjes së mbrëmshme të Kryesisë së Partisë Socialiste, u shpreh se situata në Shkodër nuk mund të trajtohet “me shkarkime në masë të njerëzve, që nuk kanë asnjë lidhje dhe asnjë fajësi për situatën e krijuar”. Bushati bëri të ditur se i kishte drejtuar më parë një letër kryesisë së partisë ku shprehet për “një reformë politike brenda familjeve politike, që të sjell një kulturë të re politike, një sistem të ri llogaridhënës kur PS është dhe duhet të jetë partia e intelektit, progresit dhe, pse jo, e komuniteteve”.

Situata brenda degës së Partisë Socialiste në Shkodër është tronditur pas zgjedhjeve të fundit vendore të 30 qershorit, ku socialistët, megjithëse konkuruan të vetëm, nuk arritën të marrin bashkinë. Kandidati i propozuar nga Partia Socialsite, ish prefektit Valdrin Pjetrit, u detyrua të japë dorëheqjen pasi Partia Demokratike në opozitë publikoi vendimin e gjykatës italiane për dënimin e tij për trafikim të lëndëve narkotike si dhe dëbimin nga Italia. Zoti Pjetri rrezikon të dënohet për shkak të fallsifikimit të formularit të dekriminalizimit.

Drejtuesit e Partisë Socialiste në qendër e quajtën rastin Pjetri si një përgjegjësi individuale, por socialistët e Shkodrës fajësojnë qendrën e tyre në Tiranë se nuk kishte marrë mendimin e tyre për kandidaturën e përzgjedhur për kryetar të Bashkisë Shkodër. /VOA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme