Google ADS

Djali i Mohamed Morsit falënderon Erdoganin për mbështetjen

11:47 | 24 Qershor 2019
Arbresh Info

Javën e kaluar, Turqia u zotua se do të bëjë përpjekje që regjimi egjiptian të gjykohet në gjykatat ndërkombëtare për vdekjen e papritur dhe të pashpjegueshme të Morsit.

Djali i ish-presidentit egjiptian të ndjerë Mohamed Morsi falënderoi presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan për mbështetjen pas vdekjes së babait të tij javën e kaluar.

“Duam të falënderojmë të gjithë, veçanërisht Erdoğanin, emirin e Katarit bin Hamad al-Thani dhe babain e tij (Sheikh Khalifa bin Hamad Al Thani), qeverinë e Malajzisë dhe ish-presidentin tunizian Moncef Marzouki”, tha djali i Morsit, Abdullah, për televizionin Al Jazeera.

Abdullah tha se autoritetet egjiptiane nuk e kanë lejuar familjen të organizonte një ceremoni për pritjen e ngushëllimeve për babain e tij dhe rikujtoi se një namaz i xhenazes (lutje funerale) në mungesë u mbajt në xhaminë el-Aksa në Kuds.

Miliona njerëz në mbarë botën, tha ai, morën pjesë në lutjet funerale për të atin e tij.

“Asnjë ngjarje e tillë nuk është parë kurrë në histori. Asnjëherë nuk kanë falur miliona njerëz një namaz xhenazeje në mungesë për askënd”, tha ai.

Morsi, 67 vjeç, vdiq të hënën e kaluar pasi humbi vetëdijen brenda kafazit të xhamit të papërshkueshëm nga zëri gjatë gjykimit të tij me akuzat për “spiunazh”, për të cilat ai së bashku me grupe të shumta të të drejtave të njeriut dhe vëzhgues të pavarur kanë thënë se ishin të motivuara politikisht.

Aktivistët dhe familja e tij kanë pohuar prej kohësh se atij nuk po i ofrohej trajtim për një sërë problemesh shëndetësore, përfshirë diabetin.

Në një fjalim në Stamboll javën e kaluar, Erdoğan tha se Morsi nuk vdiq nga shkaqe natyrore, por u vra.

Ai u zotua se Turqia do të japë përpjekje për arritjen e drejtësisë në lidhje me vdekjen e papritur dhe të pashpjeguar të Morsit.

“Turqia do të bëjë gjithçka që duhet që Egjipti të gjykohet në gjykatat ndërkombëtare”, tha ai, duke i kërkuar edhe nga Organizata e Bashkëpunimit Islam të ndërmarrë hapa.

“Ne gjithashtu do të aktualizojmë çështjen në takimin e G20 në Osaka”, shtoi ai.

Përveç Turqisë dhe Palestinës, në shumë vende të tjera të botës u fal namazi i xhenazes në mungesë pas vdekjes së Morsit.

Morsi, anëtar i Vëllazërisë Muslimane të Egjiptit, fitoi zgjedhjet e para të lira presidenciale në vend në vitin 2012.

Pas vetëm një viti në detyrë, ai u rrëzua dhe u burgos në një grusht shteti të përgjakshëm ushtarak të udhëhequr nga Abdel Fattah al-Sisi, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes së Egjiptit dhe presidenti aktual./AA

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme