Pothuajse tre vjet më parë, kur erdha për herë të parë në Kosovë, ato që më së shumti më lanë përshtypje ishin numri i madh i të rinjve në rrugët e qyteteve të Kosovës, ndjesia e një shoqërie të gjallë, shpresa në zemrat e të rinjve dhe fryma e pakontestueshme evropiane që mund ta ndieja kudo që shkoja.
Kjo rini e gjallë ka pasur ndikim të madh në mënyrën se si i qasem punës sime në Kosovë. Dua të ndihmoj që gjërat të cilat kanë rëndësi për brezin e ri, për të ardhmen e Kosovës të lëvizin para. Në këtë Ditë të Evropës 2019, më lejoni të flas për të rinjtë dhe për atë se çfarë jemi duke bërë ne në BE për ta.
Përbërës kyç i një shoqërie të suksesshme është arsimimi i mirë. Gjatë këtyre viteve të fundit BE-ja ka vënë arsimin si prioritet. Dua ta shoh sistemin arsimor të denjë për potencialin e të rinjve që kam takuar. Muajin e kaluar kam mbajtur një ligjëratë në një shkollë të mesme në Prishtinë. Edhe ministri i Arsimit ishte aty. Isha e magjepsur me interesin, me guximin dhe me idetë që treguan nxënësit e rinj gjatë seancës së pyetjeve- përgjigjeve. Ata, para ministrit, medies dhe të gjithëve i parashtruan në mënyrë të qartë dhe të hapur të gjitha mangësitë e sistemit arsimor, duke kërkuar një mësimdhënie moderne dhe duke i thënë “Jo” nepotizmit, që të jenë të barabartë me evropianët e tjerë. Ky lloj i mendjes kritike është thesar që e ka Kosova dhe, nëse ruhet dhe stimulohet, është çelësi i suksesit për Kosovën.
Pas përfundimit të shkollës, të rinjtë kosovarë duhet të jenë në gjendje të hyjnë si konkurrentë në tregun e Kosovës dhe në tregun më të gjerë evropian. Për këtë Qeveria duhet të vendosë politika ekonomike, garanci për sundimin e ligjit dhe standarde të nevojshme për tërheqjen e investimeve. Kosova duhet të përqendrohet në avantazhet konkurruese dhe në sektorët mbështetës që do të zëvendësojnë importin me eksport dhe krijim të vendeve të punës. Për ta bërë këtë, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) që Kosova ka nënshkruar me BE-në mund të jetë një ndihmë e madhe. MSA-ja ia mundëson BE-së të jetë partneri më madh tregtar i Kosovës; BE-ja është gjithashtu investitori nr. 1 në Kosovë, ku më shumë se çdo e treta euro e investuar në Kosovë rrjedh nga BE-ja.
Së pari dhe para së gjithash ne punojmë që të rinjtë të kenë kushte në Kosovë për një jetë të mirë për ta dhe për familjet e tyre. Duam që të rinjtë të jenë në gjendje të udhëtojnë nëpër Evropë për të fituar përvoja, të cilat do të jenë në gjendje t’i aplikojnë për ta bërë Kosovën të suksesshme. Për këtë qëllim ne kemi ofruar mijëra bursa në BE për studentët nga Kosova përmes programit “Erasmus +”.
Liberalizimi i vizave mund të instrumentalizohet për t’i rritur tutje mundësitë që tashmë i ofrojmë sa i përket mobilitetit të të rinjve. Duam që njerëzit e Kosovës të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më parë që të jetë e mundur. Është e rëndësishme të dihet se Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kanë rekomanduar që vizat të hiqen për Kosovën. Vendimi përfundimtar duhet të merret nga një prej organeve vendimmarrëse të BE-së, Këshilli i BE-së. Marrja e vendimeve në BE mund të marrë kohë të gjatë dhe Qeveria e Kosovës duhet të punojë edhe ca për t’i bindur vendet anëtare të BE-së që liberalizimi i vizave do të jetë i mirë për të gjithë. Duke pasur parasysh zgjedhjet për Parlamentin Evropian më vonë këtë muaj nevojitet ende kohë që këto përpjekje të japin fryte.
BE-ja ka qenë pranë Kosovës për dekada me radhë; ne kemi investuar mbi 2.5 miliardë euro në të gjitha segmentet e shoqërisë. Investimet tona kanë kontribuuar në krijimin e mijëra vendeve të punës nëpër Kosovë, kanë mbështetur qindra kompani dhe janë ndërtuar shkolla të shumta. Falë BE-së tani Prishtina ka ujë 24/7 dhe dhjetëra mijëra qytetarë të saj kanë ngrohje qendrore.
BE-ja dhe Kosova janë të destinuara të jenë së bashku. Rrugët tona nuk do të ndahen. Megjithatë, që Kosova të ketë sukses në plan afatgjatë, nxitja duhet të vijë nga brenda. Të rinjtë po e tregojnë rrugën. Udhëheqësit e Kosovës duhet ta ndjekin atë. Asnjë udhëheqës nuk duhet të jetë i kënaqur me perspektivën ku më të mirët dhe më të zgjuarit dëshirojnë të largohen. Në vend të kësaj, ata duhet të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre që ata të duan të qëndrojnë në Kosovë. Investimi në arsim, krijimi i vendeve të punës, sundimi i ligjit dhe zhvillimi i qëndrueshëm është rruga e drejtë. Të rinjtë po e tregojnë rrugën.
Gëzuar Ditën e Evropës të gjithëve në Kosovë!
/ZERI/
Shërbimi i Self Check-in tani edhe në Aeroportin e Prishtinë...
Në Speciale fillon dëshminë Halil Çadraku
Gresa nuk i beson arsyetimit të Drilonit në raport me deklar...
Osmani takoi deputeten britanike, Alicia Kearns
Ministrat e G7-ës takohen në Itali për të diskutuar për konf...
Sulmuesi kosovar po shkëlqen në Rumani