Nga 1 deri në 8 vjet heqje lirie mund të dënohet pronari i kompanisë “Uji i Pejës”, kamioni i së cilës nga defektet dhe mos kontrollimi teknik, shkaktoi aksidentin tragjik në Gjilan që la një të vdekur dhe lëndoi dhjetëra persona.
Ndonëse hetimet janë në fazën fillestare, ky dënim parashihet me nenin 381 paragrafi i 7 të Kodit Penal thotë Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
“Rasti i cili ndodhi javën e kaluar në Gjilan është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan. Aktualisht, ky rast është në fazën fillestare të hetimit dhe rrjedha e hetimit do ta përcaktojë edhe përgjegjësinë individuale të secilit person përgjegjës si dhe kualifikimin juridik. Por, Prokuroria Themelore në Gjilan rastin ndaj pronarit të kompanisë aktualisht e ka kualifikuar si “mbikëqyrje e pandërgjegjshme e trafikut publik”, vepër penale kjo e sanksionuar me nenin 381 paragrafi 7 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Dënimi i paraparë për këtë vepër penale është 1 deri në 8 vite heqje lirie”.
Tutje Shala për arbrersh.info, ka treguar se e njëjta mund të ndodh edhe në rastin e shoferit të kamionit.
Mirëpo në këto raste mund të ketë edhe lehtësira të dënimit.
“Sa i përket shoferit të automjetit, Prokuroria Themelore në Gjilan aktualisht e ka kualifikuar veprën si “rrezikim i trafikut publik” vepër penale e sanksionuar me nenin 378 paragrafi 9 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Edhe kjo vepër penale është e dënueshme prej 1 deri në 8 vite heqje lirie. Por, nëse gjatë hetimit dhe gjykimit konstatohet se ka përgjegjësi penale nga shoferi i automjetit dhe pronari i kompanisë, Gjykata me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit duhet të marrë për bazë të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese, të cilat ndikojnë në përcaktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit. Si rrjedhojë, çdo rrethanë që Kodi Penal i Republikës së Kosovës e ka paraparë si rrethanë lehtësuese duhet të konsiderohet nga Gjykata me rastin e shpalljes së aktgjykimit përfundimtar, nëse të njëjtit shpallen fajtorë”.
Përveç këtyre dy personave në këtë rast në bazë të legjislacionit në fuqi, mund të dënohet edhe vetë kompania.
E shuma e gjobës në këtë raste mund të jetë nga 5.000 deri në 15.000 euro.
“Po ashtu, në bazë të nenit 5 të Ligjit për Përgjegjësinë e Personave Juridik për Vepra Penale, përgjegjësi penale në këtë rast mund të ketë edhe vetë kompania. Neni 5 i këtij Ligji përcakton se “1. Personi juridik është përgjegjës për vepër penale të personit përgjegjës i cili duke vepruar në emër të personit juridik në kuadër të autorizimeve ka kryer vepër penale me qëllim që për atë personi juridik të realizoj ndonjë dobi ose ka shkaktuar dëme. Përgjegjësia e personit juridik ekziston edhe atëherë kur veprimi i atij personi juridik ka qenë në kundërshtim me politikën afariste apo urdhrat e personit juridik. 2. Nën kushtet e parapara në paragrafin 1. të këtij neni, personi juridik është përgjegjës për vepër penale edhe nëse personi përgjegjës i cili ka kryer veprën penale nuk është dënuar për atë vepër penale. 3. Përgjegjësia e personit juridik bazohet në fajësinë e personit përgjegjës. 4. Elementet subjektive të veprës penale të cilat ekzistojnë vetëm te personi përgjegjës do të çmohen në raport me personin juridik, nëse është realizuar baza e përgjegjësisë nga paragrafi 1. i këtij neni”. Nëse mbetet me këtë kualifikim, në bazë të nenit 3 paragrafi 8 i këtij ligji, dënimi për kompaninë mund të jetë nga 5.000 deri në 15.000 euro”, ka përfunduar, Shala.
E nëse do të ngritët akuzë apo jo ndaj këtyre personave do të dihet vetëm mbasi prokuroria do ti përfundoj hetimet.
Liridona Xheladini nga Zyrtare për Informim në Prokurorin e Gjilanit, ka thënë për arbresh.info, shkurtimisht se pas përfundimit të hetimeve është gjykata ajo e cila do të vendos për të dyshuarit.
“Sa i përket aksidentit, i cili që ka ndodhur më 7 mars 2019 ,në Gjilan, Prokuroria ende është në fazën fillestare të hetimeve. Prokuroria për këtë rast, pasi të zhvillojë hetimet, do të ngrit aktakuzë, ku pastaj Gjykata do të vendosë për dënimin apo lirimin e të pandehurve”.
Nga hetimet deri tash, është konstatuar se kamioni më të cilin po bëhej transporti i ujit, përveç problemeve më frenim ai nuk kishte bërë kontrollim teknik që nga vitit 2017.
Për këtë çështje ndonëse arbresh.info, ka dërguar pyetje tek inspektorati i punës dhe në Ministrin e Infrastrukturës se kur kanë bërë një inspektim për këto çështje, asnjëra palë nuk kanë kthyer përgjigjej.
Ndryshe nga aksidenti i ndodhur më 7 marse në Gjilan, humbi jetën Qerim Cocaj, dhe 23 persona u shtruan në Spitalin Rajonal të Gjilanit si rezultat i lëndimeve të marra./V.Selimi/arbresh.info/
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...