Përveç 28 qershorit, Lista Serbe ka kërkuar që të kenë festë memoriale edhe ditën e shtetësisë së Serbisë 15 shkurtin.
Megjithatë, komisioni e ka përcjellë këtë projektligj në Kuvend, por me një vërejtje rreth propozimit të 28 qershorit.
Kryetari i këtij komisioni, Nait Hasani, ka thënë se festa e Vidovdanit është e papranueshme për ta si komision, madje ai ka propozuar që edhe disa festa që janë aktualisht të largohen nga ligji.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se është kërkuar që edhe data 24 qershor të jetë dita e egjiptianëve.
“Festa e 28 qershorit e Vidovdanit për mua është e papranueshme, sepse nuk është një festë e cila i përmbledhë listat e festave që i kemi shti ne si festa zyrtare. Është festa e Bajramit të Madh dhe të Vogël, Krishtlindjeve Katolike, Ortodokse. Në listën e festave zyrtare këto festa janë hy dhe nuk kemi festa fetare të tjera që hyjnë në këtë…Ne si komision nuk jemi në gjendje që të marrim një vendim për çështjen e 28 qershorit ditës së Vidovdanit ta vendosim si festë memorialë apo jo. Për mua, personalisht mendoj që edhe festat të cilat janë festat fetare ne jemi shtet laik dhe nuk duhet me qenë pjesë e festave, sidomos festat e bajramit, krishtlindjeve, pashkëve, janë festa individuale të komunitetit të cilët mund t’i festojnë. Unë kisha propozuar që edhe Dita Ndërkombëtare e Punës 1 maji të hiqet dhe Dita e Evropës po ashtu”, tha Hasani.
Anëtarja e komisionit nga Lista Serbe, Jasmina Zhivkoviq, ka thënë se i kanë propozuar këto data pasi që vetëm serbët dhe egjiptianët nuk i kanë pasur këto ditë në ligj. Ajo ka thënë se propozimi i tyre për ditën e 28 qershorit, nuk është asnjë provokim.
“Njihet botërisht që 28 qershori është festë që e festojnë serbët dhe e dimë që kjo datë lidhet me luftën e Kosovës nga 1389 dhe po ashtu, ka të bëjë me festën fetare. Por, nuk është kjo vetëm festë fetare, dihet se çdo vit 28 qershori organizohet festimi edhe në Kosovë në Gazimestan, vendi ku shënohet lufta e Kosovës. Nuk ka asnjë qëllim që kjo të jetë diçka e re apo të shkaktojë ndonjë reagim negativ, por e kundërta është që kjo e lidh edhe më tepër për atë që ka ndodhur historikisht dhe prandaj ekzistojnë perceptime të ndryshme dhe të dhëna historike”, tha Zhivkoviq.
Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, është shprehur se nuk ka asgjë kundër festave të serbëve që këta t’i festojnë në shtëpitë e tyre.
Por deputeti i Nismës e ka bërë edhe një krahasim mes Vetëvendosjes dhe Listës Serbe që sipas tij këto të dyja nuk e pranojnë flamurin as himnin e Kosovës.
“Veç sa nuk e kemi caktuar një ditë feste për syneti, do të thotë nuk ka festë e bëjmë edhe për syneti dhe e plotësojmë. Problemi i Listës Serbe edhe i Vetëvendosjes në këtë vend është se asnjëra nuk e pranojnë shtetin e Kosovës, as himnin, as flamurin. Mbi bazën e kësaj kur ju uleni dhe e drejtoni kryet nga Prishtina jo kah Beogradi, kur e pranoni shtetin e Kosovës, flamurin e Kosovës, himnin e Kosovës atëherë mund të ulemi dhe të bisedojmë edhe për festa të tilla. Ju po thoni që nuk është provokative, unë po them që është shumë provokative, është tepër provokative edhe tepër fyese për shqiptarët të cilët jetojnë në Kosovë kur bashkëqytetarët e tu vijnë nga Beogradi me fotografi të Millosheviqit, me fotografi të Mlladiqit, që kanë bërë masakra e kanë vrarë njerëz, edhe shqiptarët kanë vra ajo luftë ka qenë. Ju na i keni vra 14 mijë, na i kemi vra 1 mijë e 400, nuk kemi mundur më shumë se edhe ne suxhuk ju kishim bë, po nuk kemi mundur”, tha Zeka.
Pas këtij krahasimi ka reaguar deputeti i VV-së, Adem Mikullovci, duke thënë se është absurde një krahasim i tillë.
“Vërtet është absurde dhe e pahijshme që të krahasohet Vetëvendosja me Listën Serbe. Unë dua të them këtë, nuk jam i çuditur fort nga Lista Serbe propozimi që ka për festimin e 28 qershorit, mua po më çuditë Qeveria jonë, kryetari i Kuvendit, pse një propozim të tillë të na e sjell neve në komision. Me çfarë të drejte lyp ai prej nesh ta bëjmë zyrtare një festë të shtetit fqinj, ta festojmë edhe? Është nënshkrimi i kryetarit! Zonja tha që nuk është ngacmuese, por mjafton të kujtohet kur ne gjithmonë e jetë jemi çuditur pse serbët e festojnë Vidovdanin, pse festohet humbja. Një festë të tillë të kërkohet të hyjë në festat shtetërore të Kosovës, për mua, është absolutisht absurdi më i madh. A duhet me shti në festë edhe Reçakun, edhe Kosharen, bile këto janë fitore nuk janë humbje. Unë vetëm shprehu mllefin tim për propozimin, a nuk e votoj i gjallë”, tha Mikullovci.
Por, një sqarim i ka dhënë përsëri deputeti i Nismës Milaim Zeka, duke thënë se e ka bërë krahasim për ata që nuk e respektojnë himnin dhe flamurin e Kosovës.
Për këtë krahasim reagoi edhe deputetja e Listës Serbe, Jasmina Zhivkoviq, e cila tha se propozimi i kësaj feste nuk është provokim ndërsa krahasimin e subjektit të saj politik me VV-në e quajti absurd.
“Përmendja e Listës Serbe në kontekstin negativ dhe krahasimi me Vetëvendosjen është absurd. Për fat të keq, çdo propozim që vije nga Lista Serbe, vije si provokim dhe menjëherë në fillim refuzohet pa arsye. Por, edhe kjo është e drejtë sepse jemi në një demokraci të ashtuquajtur dhe çdo kush ka të drejtë për mendimin e vet dhe të votoj si të dojë, me votat e shumicës votohet edhe në komision edhe në Kuvend. Por, dua të them që kjo është një pasqyrë negative dhe thirrja për pranimin e diçkaje duhet të ketë edhe derë të hapur për pranim në mënyrë që të pranohet nga ana tjetër dhe që mos të pranohet vetëm si provokim”, tha ajo.
Edhe deputetët e tjerë e kanë kundërshtuar që në ligjin për festa zyrtare të futet 28 qershori, ku një ndër ta ka qenë edhe deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj, i cili ka thënë se nuk e voton as në komision e as në Kuvend.
“Ne nuk po diskutojmë që serbët në Kosovë të mos e kenë një ditë memoriale të tyre, ne po e kontestojmë datën 28 qershor dhe jemi kundër. Për shkak se ngjallë edhe debat edhe provokim. Ju mund ta keni një datë tjetër dhe do ta kishim përkrahur sikur për të gjithë të tjerët, por jo për këtë datë. Unë as këtu as në Kuvend nuk e përkrahi që 28 qershori, pra dita e Vidovdanit, të jetë festë memorialë e serbëve”, tha ai.
Në këtë komision është bërë shqyrtimi i raporteve të komisioneve të përhershme për Projektligjin për lirinë e asociimit në Organizatat Joqeveritare.
Arrestohet një person i kërkuar në Shtërpcë
Ministri Maqedonci e nderon ambasadorin Hovenier, me medalje...
Kërkohet llogaridhënie nga Termokos dhe ZRrE për faturat e n...
Kurti e Vitia nesër në QKUK-në, marrin pjesë në përurimin e ...
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...