Google ADS

Dënohet me burg studentja e Fakultetit të Mjekësisë, e akuzuar për falsifikim të notës

18:34 | 8 Tetor 2018
V. S.

Studentja e Fakultetit të Mjekësisë, Merita Dragaj, u shpall fajtore në lidhje me një rast të falsifikimit të notës nga lënda e Anatomisë.

Gjykata e Prishtinës i shqiptoi asaj dënim prej 8 muaj burgim me kusht.

Për Merita Dragajn dënimi i tillë do të ekzekutohet nëse  brenda periudhës njëvjeçare kryen vepër të re penale.

Kurse i akuzuari tjetër, Izet Beqiri, zyrtar për Shërbime studentore në Fakultetin e Mjekësisë në mungesë provash është liruar nga akuza.

Prokuroria Themelore e Prishtinës më  datë  29 gusht 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Merita Dragaj  dhe Izet Beqiri.

E pandehura Merita Dragaj akuzohet për veprën penale legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, pasi që sipas Prokurorisë,  gjatë kohës sa ishte studente e Fakultetit të Mjekësisë-Dega e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, prej datës 20 Prill 2007, kur edhe ka falsifikuar notën e lëndës së anatomisë në indeksin e saj, dhe ka plotësuar fletëparaqitjen e provimit, e deri në vitin 2012, kur edhe i ishte nënshtruar provimit përfundimtar, në vazhdimësi ka vënë në lajthim organet kompetente dhe atë: zyrtaren për Shërbime të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe Administratën Qendrore të këtij Fakulteti, për të vërtetuar një çështje të pavërtetë me falsifikim të notës në indeks, me ç’rast për pasojë më datë 14 shkurt të vitit 2013, nga po i njëjti organ të pandehurës i ishte lëshuar certifikata e diplomimit me titullin doktor i Stomatologjisë.

Kurse i pandehuri Izet Beqiri, akuzohet për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, sepse sipas Prokurorisë, në vitin 2012, në cilësinë  e personit zyrtar për Shërbime studentore në Fakultetin e Mjekësisë-dega Stomatologji, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, kur ka bërë kompletimin dhe verifikimin e dosjes së studentes Merita Dragaj, kishte dhënë deklaratën me shkrim duke konfirmuar me atë deklaratë se dosja e studentes në fjalë ishte në rregull dhe e kompletuar, edhe pse e njëjta nuk kishte paraqitur fare provimin ndaj nuk i ka figuruar emri në listë për këtë lëndë dhe fletëparaqitja e provimit të Anatomisë, të cilën vet studentja e ka plotësuar, nuk ka pasur fare numër protokolli dhe vulën e shërbimit studentor, ashtu siç e kërkojnë rregullat.

Sipas Prokurorisë kështu i është mundësuar të njëjtës që ta fitojë të drejtën e pajisjes me certifikatën e diplomimit, e që më pastaj është pajisur edhe me diplomë dhe nga kjo ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore me mundësi të punësimit si stomatologe.

Gjykata për fund ndaj të pandehurës Merita Dragaj shqiptoi edhe dënim plotësues, duke konstatuar marrjen e diplomës dhe konfiskimin e certifikatës së notave.

Ndaj këtij vendimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga momenti i pranimit të këtij vendimi./kallxo.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme