Google ADS

Dënohet ish-komandanti i Policisë për 5 metra dru

09:49 | 29 Nëntor 2018
Arbresh.info

Gjykata e Gjilanit shpalli verdiktin ndaj ish-komandantit të policisë në Novobërdë, Shukri Aliu, i cili akuzohej se ka kryer veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe moslajmërimit të veprës penale dhe kryesve të tyre.

Për pikën e parë të akuzës për veprën penale marrje ryshfeti gjykata e dënoi atë me burgim prej 180 ditësh, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda 1 viti nuk kryen vepër të re penale, si dhe me gjobë prej 500 euro.

Kurse për akuzën e dytë gjykata e dënoi atë me gjobë prej 1000 euro.

Trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Naser Maliqi Kryetar, Agim Ademi dhe Sabedin Mushica anëtar, konstatuan që i pandehuri Shukri Aliu dënohet me dënim unik prej 1500 euro me gjobë dhe 180 ditë burgim me kusht që brenda 1 viti të mos kryejë vepër të re penale.

Gjykata gjithashtu obligoi Aliun që t’i paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 50 euro, po ashtu dhe shpenzimet në emër të kompensimit të viktimave në shumë prej 50 eurosh.

Në pikën 1 të aktakuzës së Prokurorisë, përfaqësuar nga prokurori Arben Kadriu thuhej se Shukri Aliu akuzohet për veprën penale të marrjes së ryshfetit për shkak se si komandant i policisë në Novobërdë, më datë 2 shtator 2017 në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar dhuratë-drutë me sasi prej 5 metër kub, për zbulimin e vjedhjes së pyllit në pronësi të Naser Mehmetit nga Gjilani, ashtu që Ivan Dikiq i kërkon një traktor me dru nga Naser Mehmeti për të pandehurin Shukri, me arsyetimin se i njëjti e kishte zbuluar vjedhjen e malit. Sipas aktakuzës, Naser Mehmeti përmes Ivan Markoviqit dhe Dikiqit, ia dërgon të pandehurit sasinë e druve të lartcekur dhe përmes telefonit Naseri e njofton Shukri Aliun duke i thënë “përshëndetje shoq, punën ta kryeta, drutë ia dhash Ivanit me t’i pru” dhe i pandehuri Shukri i falënderohet.

Ndërsa në pikën 2 të akuzës, Shukri Aliu akuzohet edhe për veprën penale moslajmërimi i veprave penale sepse gjatë periudhës kohore 22-23 korrik 2017 përmes telefonit komunikon me Ivan Dikiq dhe nga i njëjti mëson se pa leje valide është duke poseduar armë zjarri dhe se të njëjtën do ta përdorë në një dasmë, si dhe akuzohet se kishte dijeni që Ivan Dikiq është duke mbajtur në bashkësi jashtëmartesore personin nën moshën 16 vjeç, dhe si rrjedhojë nuk ndërmori veprime zyrtare por i jep udhëzime duke i thënë “që të bëjë kujdes deri në muajin gusht, pasi e njëjta i mbush 16 vjeç”, dhe si person zyrtar në cilësinë e komandantit të stacionit policor në Novobërdë ka mësuar për këto veprime dhe nuk ka lajmëruar.

Kundër këtij vendimi palët e paknaqura mund të ushtrojnë ankesë në gjykatë të Apelit në afat prej 15 dite nga pranimi i këtij vendimi./kallxo.com

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme